KEDS Largon nga Puna 95 Punëtorë

Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike ka marrë vendim që për arsye ekonomike, teknike dhe organizative të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim, dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në këtë Departament u ndërpriten kontratat e punës.

Sipas Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it fjala është për 95 punonjës.

Njoftimin për këtë vendim sindikata e ka pranuar dje.

Kryetari i Sindikatës, Hysni Gashi, në një intervistë për KALLXO.com tha se KEDS nuk po e respekton kontratën kolektive me arsyetimin se nuk është anëtar i Odës Ekomomike të Kosovës.

“Arsyetimi i tyre është se ata nuk i obligon marrëveshja e përgjithshme kolektive meqenëse nuk janë anëtar të Odës Ekonomike të Kosovës dhe se nuk janë nënshkrues të asaj marrëveshje. Mirëpo, duke e parë marrëveshjen e përgjithshme kolektive, duhet me ditë që çdo kompani që operon dhe vepron në Kosovë duhet ta aplikojë atë marrëveshje”, tha kreu i Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it.

Po ashtu, Gashi thotë se këta 95 punëtorë për të cilët është marrë vendim të largohen nga puna kanë pasur kontrata të përhershme.

“Me këta 95 punëtorë, KEDS-i e shkel gjithsesi edhe Ligjin e Punës dhe nuk respekton asnjë ligj, as nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që duhet të ruhet mundësia e angazhimit të njerëzve në punë”, u shpreh ai.

Kreu i sindikalistëve të KEDS-it u ka dërguar një letër krerëve të institucioneve shtetërore duke u kërkuar të angazhohen që këta punëtorë të mos përjashtohen nga puna.

Hysni Gashi tha po ashtu se Sindikata është duke e shqyrtuar mundësinë e organizimit të një proteste dhe greve.

“I lusim të gjitha institucionet tona, sidomos kryeministrin e ministrat përkatës që të ndërmarrin hapa, të mos lejojnë të vjen te ma e randa, ma e keqja, përndryshe do të detyrohemi t’i thërrasim punëtoret edhe në protestë e ndoshta edhe në grevë, që pasojat do të jenë mjaftë të randa për neve po edhe për popullatën”, u shprehë ai.

Gashi tha se e gëzojnë mbështetjen edhe të atyre punëtoreve që nuk janë të rrezikuar me largim nga puna.

I pyetur rreth këtij rasti, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete, duke theksuar se çdo kompani bën rishikime dhe reforma brenda organizatës.

Sa i përket çështjes së Marrëveshjes Kolektive, Buzhala tha se KEDS nuk është në mesin e organizatave që e kanë nënshkruar atë.

Kompania KEDS ka filluar që një kohë të largojë punëtorë nga puna. Në gusht të këtij vitit ishin larguar disa punëtorë në distriktin e Pejës.

http://kallxo.com/keds-vazhdon-te-largoje-punetore-nga-puna/

http://kallxo.com/punetoret-keds-protestojne-kunder-largimit-nga-puna/

http://kallxo.com/fspe-keds-i-u-ben-presion-punetoreve-ta-leshojne-punen/

Ndërsa në vitin 2014, punëtorët e KEDS-it kishin protestuar për rritje të pagave.

http://kallxo.com/punetoret-e-keds-it-edhe-sot-ne-proteste/

KEDS-i ishte privatizuar në tetor të vitit 2012 për 26.3 milionë euro.