Punëtorët e “Hotel Grand” Dorëzojnë Peticionin në Komision

92 punëtorë të “Hotel Grand” kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë të drejtat të tyre. Peticioni ka katër kërkesa kryesore, të cilat, nënshkruesit e tij ia kanë paraqitur Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi gjinore, Persona të pagjetur dhe Peticione.

Punëtorët kanë kërkuar që të lidhen kontrata për shërbimet për të gjithë punëtorët e ”Grand Hotel” dhe të zhbllokohet situata e krijuar nga AKP-ja si dhe kanë kërkuar të mbeten në punë të gjithë punëtorët e “Gand Hotel”-it me vetëfinancim deri në shtije e tij.

Mustafë Ahmeti – kryetar i sindikatës së “Grand Hotel” tha se të drejtat e punëtorëve janë shkelur në mënyrë barbare nga AKP-ja.

“Zyrtarët e departamentit të likuidimit të  AKP-së të cilët janë të organizuar mirë me paramendim që të shkatërrojnë ndërmarrjen “Grand Hotel” tani kanë vënë barriera të projektuara”, tha ai.

“Kërkojmë që pagat të jenë të plota si deri më tani, të merren masa për zhbllokimin e financave lidhur me pagat e punëtorëve, të mos pengohet aktiviteti sindikal në “Grand Hotel”, shtoi kreu i sindikatës, Mustafë Ahmeti.

Ndërkaq, Avni Jashari, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues për likuidim në AKP, tha se Kuvendi ende nuk e ka emëruar Bordin e Drejtorëve, dhe për këtë arsye ai tha se është shtyrë procesi i likuidimit të “Hotel Grand”-it.

“Duke parë situatën në fjalë, në raportet financiare të cilat i ka përgatitur Autoriteti i Likudimit dhe sipas ligjit të Agjencisë, janë përgatitur analizat financiare  të kësaj ndërmarrjeje dhe është ardhë në përfundim se nëse mbahet niveli i pagave aktuale, atëherë në përudhën 1 vjeçare, “Grand Hotel” do të ishte në minus 144 mijë euro”, tha ai.

Në fund të prillit, sipas tij, do të shihet situata financiare e “Grand-it” dhe do të vendoset nëse këta punëtorë të cilët nuk konsiderohen të punësuar prej datës 2 shkurt, do të mbahen edhe më tej apo do të rritet niveli i pagave të tyre.

Kurse Teuta Haxhiu, anëtare e komisionit ka pasur disa kritika për AKP-në.

“Politika është edhe në institucionin tuaj. Ju nuk jeni kompetent me marrë vendime përderisa nuk keni bordin e kompletuar. Të gjitha vendimet e juaja janë të kundërligjshme”, ka thënë ajo.

Sa i përket vendimit për likuidim të ndërmarrjes ”Grand”, edhe Valdete Bajrami ka kërkuar që AKP-ja ta paraqesë vendimin para komisionit para se të procedohet tutje.