Ujësjellësi KRU 'Prishtina' për tre muaj shkyçi 195 konsumatorë

 

Ujësjellësi KRU “Prishtina” ka njoftuar se për tre muajt e parë të këtij viti ka bërë 195 shkyçje individuale për konsumatorët e vet.

Sipas Ujësjellësit KRU “Prishtina”, shkyçja do të vazhdojë edhe muajve të ardhshëm për ata që nuk kryejnë pagesat me kohë.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit ,,Prishtina ,, sh.a. (KRUP) njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se, aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit.

“Në muajin janar 2019 janë realizuar 17 shkyçje individuale, në muajin shkurt 2019 janë realizuar 96 shkyçje individuale dhe në muajin mars 2019 janë realizuar 82 shkyçje individuale. Paralajmërojmë konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar”, thuhet në njoftim.

Sipas Ujësjellësit, konsumatorët më mirë është të paguajnë borxhin sesa pas shkyçjes të kërkojnë rikyçjen.

“KRU ” Prishtina” sh.a., ka intensifikuar aktivitetet për arkëtimin e borxheve edhe përmes detyrimit (shkyçje individuale të shërbimit, padi gjyqësore, përmbarues privat, etj.) dhe natyrisht kjo shkakton shpenzime shtesë për buxhetin tuaj familjar: (shkyçja dhe rikyçja e ujit 20.00 €, shpenzimet e përmbaruesit privat 18 % në vlerën totale të borxhit të akumuluar). KRU “Prishtina” sh.a. ju ka ofruar bashkëpunim dhe mundësi të lehta të ndryshme (riprogramim për borxhe të akumuluara, andaj shfrytëzojeni këtë mundësi. Paraprakisht falënderojmë të gjithë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat e ujit, njëkohësisht ftojmë borxhlinjtë që, urgjentisht të paguajnë detyrimet që keni / kanë ndaj KRU ”Prishtina” sh.a.”, thuhet në fund të njoftimit.