Banorët e Orllanit pa ujë nga ujësjellësi ndonëse projekti duhej të përfundonte para një viti

Banorët e fshatit Orllan të Podujevës vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm ndonëse atyre u ishte premtuar se do të bëheshin me ujësjellës më 2022.

Shtrirja e ujësjellësit kishte nisur më 2019 dhe parashikimi ishte që projekti të përfundojë brenda tri vitesh.

Por tash kur kanë kaluar katër vite banorët sigurojnë ujë në mënyra të ndryshme, kryesisht nga bunarët, ndonëse ujin me të cilin furnizohet një pjesë e madhe e Kosovës e kanë në fund të oborrit.

Për mosrealizimin e projektit institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

E banorët po thonë se mungesa e ujit po ndikon që të shpërngulen nga fshati.

Përfaqësuesi i fshatit Orllan, Arben Musa, ka thënë se kjo çështje ka shkaktuar edhe shpopullimin e fshatit.

“Banorët e Orllanit dhe 9 fshatrave përreth e vuajnë mungesën e ujit, edhe pse që nga viti 2017 e kemi bërë të qartë se mungesa e ujit në këto fshatra po detyron edhe shpërnguljen e banorëve dhe ka vështirësuar të të jetuarit në këtë zonë”- tha Arben Musa, përfaqësues i fshatit.

Ai ka treguar se banorët ujin e sigurojnë në alternativa të ndryshme.

“Banorët zakonisht ujin e sigurojnë në puse (bunarë) të cilat nuk janë fare të kontrolluara për cilësinë e ujit. Gjithashtu, në muajt e verës ato edhe shterojnë, ndërsa në dimër ngrijnë dhe banorët detyrohen në forma të ndryshme të sigurojnë ujin” – ka thënë Musa.

Për të zvarritja e një projekti kaq vital është tejet e pakuptimtë.

“Është krejtësisht e pakuptimtë zvarritja dhe neglizhimi që po bëhet për përfundimin e projektit të ujësjellësit për Orllanin. Sipas OJQ “SDK”, e cila e ka avokuar që nga viti 2017 që ky projekt të fillojë dhe të përfundojë në kohë, projekti ende po zvarritet nga papërgjegjësia institucionale edhe pse sipas kontratës është dashtë të përfundojë në fund të vitit 2022” – shtoi ai.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për këto vonesa përgjegjësinë ia ka hedhur KEDS-it dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Vonesat janë shkaktuar për arsye se janë porositur pompat me specifikacion të cilat i ka kërkuar KRU “Prishtina”. Ka qenë zvarritje nga ana e KEDS-it dhe Ujësjellësit” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë përmes emalit.

Sipas tyre, gjatë gjithë kohës është punuar në realizimin e këtij projekti dhe punimet kanë shkuar sipas kontratës.

Ata kanë theksuar se pas disa procedurave pritet të fillojë zhvillimi i punëve përfundimtare.

“Pasi të pranojë vendimin për dhënie në shfrytëzim të pronave nga Komuna e Podujevës, KRU “Prishtina” dhe operatori ekonomik do të vazhdojnë me zhvillimet e punëve përfundimtare në terren, për projektin – ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Orllan, të Podujevës, për realizimin e furnizimit me energji elektrike të rezervuarit në Surdull –Orllan”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Nga kjo Ministri shtuan se janë në pritje të pëlqimit nga KEDS-i për kyçje në rrjetin elektrik.

“KRU ‘Prishtina’ ka bërë kërkesën në KEDS për pëlqim për kyçje në rrjetin elektrik, jemi në pritje të pëlqimit nga KEDS-i, pastaj Operatori Ekonomik vazhdon punimet deri në përfundim sipas projektit” – thuhet tutje në përgjigje.

Kurse, nga KEDS kanë thënë se kërkesa e lartpërmendur është shqyrtuar nga departamenti përkatës, dhe ekipet kanë dalë në terren për të vlerësuar gjendjen.

“Sipas procedurave dhe rregulloreve në fuqi, për të cilat është njoftuar edhe vet konsumatori, se distanca për kyçje në rrjet është më shumë se 200 metra gjatësi dhe nuk përkon me parametrat e lejuar për kyçje. Gjithashtu, konsumatori është informuar dhe udhëzuar që të aplikojë për pëlqimin Elektroenergjetik (PEE), dhe më pas të vazhdohet me procedurat e tjera”-thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Ndërkaq nga KRU “Prishtina” nuk kanë dhënë ndonjë arsye për vonesat në punime. Sipas tyre, MMPHI-ja i ka arsyet.

“Ky projekt është udhëhequr nga MMPHI-ja dhe ujësjellësi KRU “Prishtina” nuk ka qenë i involvuar në çështjet administrative dhe implementuese të këtij projekti”- kanë thënë nga Ujësjellësi.

Nga kjo kompani shtuan se janë në kontakt me Komunën dhe Ministrinë rreth ujësjellësit në Orllan.

Ata thonë se kanë dalë në terren dhe kanë parë edhe dëmtimet e fundit që janë bërë në trase si pasojë e reshjeve.

Nga Ujësjellësi thanë se kanë pranuar ankesa dhe personat që janë ankuar i kanë informuar për situatën.

Kurse, nga Komuna e Podujevës në lidhje me mospërfundimin e punëve për ujësjellësin në Orllan thanë se kjo nuk është kompetencë e nivelit komunal pasi, sipas tyre, projekti është në kuadër të MMPHI-së si dhe KRU “Prishtina”.

Komuna arsye të njëjtë ka dhënë edhe për çështjen se sa është punuar që nga viti 2019 deri më tani.

Ata janë shprehur se kanë bërë një marrëveshje me MMPHI-në në vitin 2019.

“Komuna e Podujevës ka pasur një marrëveshje me MMPHI-në, ku me këtë marrëveshje Komuna e Podujevës, ka marrë përsipër hartimin e projektit për të vazhduar projektin, por ekzekutimin e këtij projekti dhe mbikëqyrjen e tij e ka pasur nën kompetencë CDI-ja dhe MMPHI-ja”- kanë thënë nga Komuna në përgjigjen me shkrim.

Nga kjo Komunë kanë thënë se mbajnë kontakte të rregullta me Ministrinë për projektin në fjalë. Ata theksuan edhe një kërkesë të drejtuar së fundmi.

“Një prej kërkesave, kohët e fundit ka qenë ndarja e një parcele, për ​ndërtimin e rezervuarit në fshatin Surdull të cilën e kemi inicuar menjëherë (në ditën e pranimit) duke e kaluar në Kuvendin Komunal dhe tash jemi në pritje të ligjshmërisë së këtij vendimi nga MAPL-ja”- thuhet në përgjigje.

Gjithashtu, në përgjigje thuhet se kanë pranuar ankesa nga qytetarët.

“Kemi pranuar ankesa nga qytetarët të cilët nuk kanë qenë në dijeni për kompetenecat që kanë pasur institucionet e ndërlidhura me realizimin e këtij projekti, ne përveçse i kemi adresuar këto ankesa në MMPHI i kemi orientuar edhe qytetarët t’i adresojnë atje”- thuhet në përgjigjen e Komunës.

Komuna e Podujevës thotë se nuk janë të njoftuar në detaje për projektin dhe shton se u është thënë që ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti.

Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së në Podujevë, Valon Demolli, është shprehur se në Komunën e Podujevës nuk ka transparencë të plotë për realizimin e projekteve të miratuara në Kuvendin Komunal. Sipas tij, kjo arrin deri në mospërfillje edhe të Kuvendit.

“Raporti i institutit GAP Komunën tonë e rendit në vendin e 23-të për transparencë. S’ka raportim të kryetarit për gjendjen ekonomiko-financiare dhe me dinamikën e realizimit të projekteve. Kemi anulim të projekteve në mënyrë arbitrare pa vendim kuvendi” – ka thënë Demolli.

Ai shprehet se ka keqmenaxhim nga kjo qeverisje.

“Kemi ridestinime në kundërshtim me Ligjin për financa publike (rasti i rrugës “Vëllezërit Frashëri” në vlerë mbi 700.000 euro, në rrugën “Xhemajl Mustafa” mbi 200.000 etj.) dhe si rezultat i këtij keqmenaxhimi dhe keqklasifikimi Auditori i Përgjithshëm Komunën e Podujevës e nxjerrë me raport të kualifikuar për vitin 2022”-ka shtuar ai.

Asamblisti Demolli thotë se fakti që edhe sot në vitin 2023 Orllani është pa furnizim me ujë nga ujësjellësi, tregon se sa është punuar ndër vite në këtë çështje.

Edhe asamblisti Demolli thotë se mungesa e ujit dhe e sistemit të ujësjellësit ka ndikuar që shumë qytetarë të Orllanit ta braktisin fshatin.

“Sigurisht që ky problem jetik për jetesë e mirëqenie reflekton drejtpërdrejt edhe në migrimin e qytetarëve të Orllanit me rrethinë, dhe jo vetëm, por në gjithë Komunën e Podujevës” – ka thënë ai.

Në vitin 2019 kur kishte filluar ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në Orllan ishte planifikuar një kosto prej rreth 1 milion euro.