Kiosqet ‘pa pronarë’ në hapësirat publike në Mitrovicë

Vendosja e kiosqeve në pronat publike si dhe veprimtaria nga tregtarët ka qenë prezente për vite me radhë në pronën e Bashkësisë Islame në Mitrovicën e Jugut. Rast i ngjashëm është identifikuar para disa javësh edhe në pronën e Ujësjellësit ku janë vendosur dy kioska të cilat nuk dihet se kush i ka vendosur.

Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, ka konfirmuar për KALLXO.com se janë larguar 126 kiosqe të cilat kanë qëndruar ilegalisht në tokën e Bashkësisë Islame.

“Inspektorati i komunës ka filluar t’i largojë këto kioska më datën 1 tetor. Në mesin e 126 kioskave, një numër prej 14-15 kioskave kanë mbet. Ju kemi dhënë afat për largim, nëse nuk i largojnë javën tjetër i largojmë vetë”, ka thënë Tërnava.

Ai shtoi se tregtarët kanë pas leje për vendosjen e tyre për disa vite, teksa pas përfundimit të kësaj marrëveshje kanë qëndruar ilegalisht.

“Periudha që janë vendos kanë qenë viti 2004 ose viti 2006, nuk e di saktë. Parcela ku kanë qenë të vendosura është pronë e Bashkësisë Islame. Tregtarët kanë pas marrëveshje me komunën për pesë vite, me mundësi vazhdimi për pesë vite, mirëpo nuk kanë bërë vazhdim kurrë prej kohës kur ka qenë Bajram Rexhepi kryetar, nuk u vazhdu ajo kontratë kurrë, një farë forme kanë qenë si lloj i shfrytëzimit ilegal”, pohon Tërnava.

Tutje, drejtori për KALLXO.com ka thënë se është marrë vendimi për largimin e këtyre kiosqeve me kërkesë të Bashkësisë Islame.

“Vendimi për me u largu ato kioska ka ardhë në koordinim me Bashkësinë Islame dhe komunën se e kemi një marrëveshje për me ia liru pronën. Kemi marrë kërkesë që me iu liru prona Bashkësisë Islame. Për atë arsye kemi marrë vendim që ato kioska me u heq prej aty, ndërsa tregtarët të cilët kanë qenë aktiv me u vendos në hapësirën e tregut”, përfundoi ai.

Para disa javësh, dy kioska janë vendosur në pronën e Ujësjellësit në lagjen “Suhodoll i Poshtëm” në Mitrovicën e Veriut, të cilat nuk dihet se kush i ka vendosur.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeshefi i Ujësjellësit, Bashkim Kurti më datë 6 tetor. Kurti ka thënë se ato janë vendosur në pronën e Ujësjellësit.

“Po ajo pronë është e Ujësjellësit. Janë vendos më datë 4 tetor. Jemi në dijeni, e dijmë që janë duke i vendosur, nuk e di se kush. Do të marrim masa në koordinim me Inspektoratin e komunës. Kjo i përket Komunës së Veriut, është dashur të kemi një takim me ta, me diskutu më gjerësisht. Të shohim se sa do të na mbështesin”, tha ai.

Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit në Komunën e Mitrovicës Veriore ka thënë se Inspektorati është në terren për ta identifikuar rastin.

“Është duke u punu. Inspektori janë në terren. Ende nuk kemi marr raport nga inspeksioni. Kurdo që të marrim del një raport për media diçka”, ka thënë ai.

Më datë 10 tetor, kryeshefi i Ujësjellësit, Bashkim Kurti ka thënë se ende nuk kanë marr përgjigje nga komuna për dalje në terren së bashku.

“Sikurse ju kemi njoftuar ne kemi bërë kërkesë në komunën e Mitrovicës së Veriut për asistencë në largimin e kioskave të vendosura në pronën e KRUM, por që deri në këto momente nuk kemi pranuar ndonjë informatë apo kërkesë për dalje në terren së bashku me inspektorët komunal”, ka thënë ai.

Edon Beqiri, menaxher i aseteve në KRU Mitrovica ka thënë se më datën 12 tetor ka marrë përgjigje nga Drejtoria për Infrastrukturë, Shërbime Publike dhe Inspeksion në Komunën e Mitrovicës Veriore.

Sipas përgjigjes në kërkesë të siguruar nga KALLXO.com, Fatir Berzati, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit si dhe Binasa Syla, inspektore komunale kanë thënë se nuk kanë akte juridike për të marrë masa në lidhje me këtë rast.

“Kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë tjera pastaj kemi kontaktuar edhe Drejtorinë e Kadastrit. Parcela 51 ari me nr. 00449-1 dhe parcela 9 ari me nr. 00482 -0 ku ndodhen kioskat janë pronë e Ujësjellësit. Në këtë rast nuk kemi akte juridike me ndërmarr masa sepse parcelat nuk janë hapësira publike”.

Sipas menaxherit të aseteve në KRU Mitrovica, kadastri në Mitrovicë të Veriut nuk është duke funksionuar aktualisht.

“Së pari duhet me shku me i kthy pronat në emër të KRU Mitrovica SH.A. Njëjtë qysh i kemi parcelat ku jemi me drejtori tash. Deri sa të hapet kadastri i cili nuk është duke funksionuar në pjesën veriore nuk mundemi me bo ndërrim të pronarit, ndërrim të emrit. Na ish dashtë në kadastër me shku pika e parë me na dal në emër KRU Mitrovica SH.A. qysh e kemi në parcelat tjera. Në momentin që e kthejmë në emër të KRU Mitrovica është gjithçka në emër tonin edhe pse ata e kanë verifiku që parcela është e jona”.

Kryeshefi i Ujësjellësit tregon për KALLXO.com se çfarë masash do të ndërmerr në lidhje me këtë rast.

“Kemi mbet tash s’po dijmë as me kë me bisedu nëse inspektorati nuk merr masa s’po di kush duhet me marr masa. Veç me marr një kompani që merret me metale të vjetra dhe me i thonë hajde merri, me qenë se nuk e di as pronarin, nuk e di çka të bëj tutje”, përfundoi kryeshefi.

KALLXO.com ka provuar që nga data 6 tetor të marrë përgjigje nga drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Fatir Berzati gjithashtu edhe nga kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.