Protesta e banorëve të Stankajt, kërkojnë ujësjellës, Komuna e Pejës premton zgjidhje

Banorët e fshatit Stankaj të Pejës sot kanë protestuar, duke kërkuar që edhe fshati i tyre të përfshihet në projektin për ujësjellësin.

Ata pretendojnë se projekti i Komunës së Pejës e anashkalon fshatin e tyre, për të furnizuar fshatra të tjerë.

Avdi Halilaj, banor i këtij fshati, thotë se pjesa dërrmuese e fshatit nuk është e furnizuar me ujë të pijshëm.

“Ne kemi dalë me protestu kundër Komunës së Pejës, e cila po do me na marrë ujin, me na lënë pa ujë. D.m.th. pjesa dërrmuese e fshatit nuk janë të furnizuar me ujë, fshati Stankaj. Ai do me marrë ujin me e çu në Shkrel, ku i kanë pronat e veta dhe nuk do me ardhë me diskutu me fshatin tonë” – ka thënë Halilaj.

Sipas tij, fshati Stankaj që gjendet në Rugovë, ka mbi 400 banorë.

“Po tash është rritë numri i banorëve, nuk mundemi me ditë saktësisht, por janë mbi 400 banorë që janë bo. Ka shumë shtëpi në Stankaj, se është fshat i madh. 60% e fshatit nuk është e kyçur në ujë” – shtoi ai.

Por, në anën tjetër, Komuna e Pejës thotë se në projektin për furnizimin me ujë do të përfshihet edhe fshati Stankaj.

Faik Zekaj, zëdhënës i Komunës, thotë se gjatë takimit me banorët e fshatit u është treguar se projekti përfshin edhe fshatin Stankaj.

“Ne kemi pasur bisedime me ta edhe ua kemi shpjeguar saktë qysh ka me shku puna. Ka me u bo një ujësjellës për fshatin Stankaj së pari, sepse aty gjysma nuk kanë qasje në ujë të pijes, gjysma kanë qasje. Tash problemin janë duke e bërë ata që kanë qasje, sepse ata janë në rregull për vete. Ju kemi shpjeguar që aty është duke u punuar, është një burim i ujit në pronë shtetërore edhe u kemi treguar saktë, kemi pasur takime me ta edhe u kemi treguar se aty së pari ka me u furnizu fshati Stankaj dhe gjysma tjetër” – ka thënë Zekaj.

Banorët e fshatit Stankaj ka kohë që janë duke protestuar dhe duke kërkuar që të bëhet zgjidhje për ta.

Në maj të këtij viti, ata kishin protestuar para Ministrisë së Mjedisit, duke kërkuar që të mos lejojë Komunën e Pejës të furnizojë fshatrat e tjerë me ujë pa u furnizuar vetë fshati Stankaj, pasi sipas tyre, burimi ujor prej nga planifikohet furnizimi është në fshatin e tyre.

Banorë të fshatit Stankaj të Pejës protestojnë para Ministrisë së Ambientit për ujë të pijshëm – FOTO

www.kallxo.com