Kryeministri dhe shefja e Zyrës së BE-së sot në Pejë. Foto: Zyra e Kryeministrit

Trashëgimia e Pejës Merr 500 Mijë Euro nga Bashkimi Evropian

Artizanate në ‘Çarshinë e Gjatë’ dhe Hambari i Haxhi Zekës në Pejë, të financuara nga Bashkimi Evropian u përuruan sot në bashkëpunim me udhëheqësinë shtetërore dhe lokale.

Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian, Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Pejës sot kanë përuruar dy projektet të cilësuara si të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe artizanaleve.

Nataliya Apostolova, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë bashkë me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë prerë shiritin e dy projekteve të realizuara në qytetin e Pejës.

Në fillim u përuruan punët në “Çarshinë e Gjatë” të qytetit ku është bërë restaurimi i saj, e me pas në Hambarin e Haxhi Zekës, dhjetëra artizanale të cilat do veprojnë tash e tutje.

Gjithashtu mbështetësit e këtyre projekteve të realizuara inspektuan punët me ç’rast panë nga afër investimet e bëra.

E projektet në fjalë u realizuan falë mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian që Apostolova i cilësoi si shembull të mirë të asistencës se BE-së drejt zhvillimit ekonomik.

“Ky projekt i cili është i mbështetur nga BE-ja me pothuajse 500 mijë euro është një nga shumë shembujt të asistencës tonë drejt zhvillimit ekonomik në rajonet e ndryshme të Kosovës,” tha Apostolova.

Ajo gjithashtu theksoi se me ketë investim gjysmë milionësh nga BE janë mbështetur asetet kulturore dhe artizanalet e këtij qyteti, të cilat sipas saj, kanë krijuar edhe vende të reja të punës.

Sipas saj, BE deri tani në Kosovë ka dhuruar mbi 22 milionë euro të cilat tha se kanë ndikuar në rritjen e zhvillimit ekonomik, mbështetjen e bizneseve dhe krijimin e vendeve te reja të punës.

Kurse kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, lavdëroi investimin e Bashkimit Evropian dhe punën e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

“Populli thotë njerëzit që punojë shumë edhe flasin pakë, edhe kryetari i komunës foli shkurt. E keni bërë një punë të mrekullueshme ju së bashku me Bashkimin Evropian, dëshirojë të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe financimin e këtij projekti,” tha Mustafa.

Kryeministri tha se Çarshia e Pejës dhe artizanalet e saj paraqesin zhvillimin kulturor dhe ekonomik të këtij rajoni me shekuj.

Ndërsa Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri foli për perspektiven e qytetit me realizimin e këtyre dy projekteve më të qëlluara sipas tij kohëve të fundit, duke falënderuar Bashkimin Evropian që ka bërë të mundur një gjë të tillë.

“Një investim të qëndrueshme në komunën e Pejës i cili do të jetë promotor i zhvillimit të turizmit po edhe ekonomisë familjare dhe zhvillimit të komunës së Pejës në të ardhmen. Investimi në “Çarshinë e Gjatë” është një ndër investimet me të qëlluara që është bërë në komunën e Pejës,” tha Muhaxheri.

Në Hambarin e Haxhi Zekës të restauruar kohë më parë u panë nga afër aktiviteti i artizanaleve të vjetra të qytetit të Pejës.

http://kallxo.com/fillon-restaurimi-i-carshise-se-gjate-ne-peje/