Hapja e rrugës në Kanionin e Shushicës, 12 mijë euro gjobë për kryetarin e Pejës dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike 

12 mijë euro në total është vlera e gjobës me të cilën nga Inspektorati i Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimi Hapësinor dhe Ndërtimit janë dënuar më 24.11.2023 Drejtoria për Punë Komunale dhe Shërbime Publike si dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Në vendimin që ka siguruar KALLXO.com thuhet se “gjoba shqiptohet ndaj palës- personit juridik dhe personit përgjegjës të personit juridik për shkak se i njëjti ka bërë ndërhyrje në zonën e mbrojtur – Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në kundërshtim me nenin 128 të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”.

Ky dënim me gjobë është shqiptuar pasi në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku jetojnë mijëra shtazë e bimë që mbrohen me ligje të Kosovës, është hapur rrugë e re pa kurrfarë leje.

Më 16.02.2024 “Kallxo Përnime” transmetoi emisionin “Bjeshka e pambrojtur”.

Në të njëjtin emision ishin transmetuar pamje se si bagerat kishin punuar gjatë gjithë verës së vitit 2023 për të gërryer në bjeshkën në Kanionin e Shushicës, i cili gjendet disa kilometra mbi Grykën e Rugovës.

Kanioni i takon Zonës së Parë të Mbrojtur të Parkut Kombëtar.

Shtegu në të cilin Jeta Xharra bashkë me ekipin kishte arritur të shkojë me makinë deri në mes të kanionit, kishte qenë shteg i këmbësorëve që është trashëgimi natyrore, kulturore e historike e rugovasve, të cilën e kanë përdor në 600 vitet e fundit për të dalë deri te fshatrat Llaz e Bellopaq.

Bjeshka ishte gërryer nga Komuna e Pejës në një projekt që ka për qëllim të shtrijë ujësjellës në zonën e mbrojtur për të sjellë ujë për banorë të Lugut të Baranit që gjinden 25-30 km larg këtij kanioni.

Debati për t’u sjellë ujin 15 fshatrave të Lugut të Baranit është zhvilluar në 15 vitet e fundit prej kohës që kryetar i Komunës ka qenë Ali Berisha më 2009. Ai e kishte filluar projektin për furnizimin prej Radacit, ku është burimi i Drinit të Bardhë, por i humbi zgjedhjet pa përfunduar projektin.

Pas tij, Gazmend Muhaxheri, kreytar prej vitit 2013, ka vendosur që uji banorëve të Lugut të Baranit t’u sillet jo përmes Drinit të Bardhë, por përmes lumit të Shushicës që gjendet në zonën e mbrojtur.

Krejt ky intervenim në zonën e mbrojtur është bërë para syve të zyrtarëve të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, organ që i ka 36 punëtorë, e të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen e bjeshkëve. Ky intervenim është bërë po ashtu para syve të zyrtarëve të “Hidrodrinit”, detyra e të cilëve është të propozojnë zgjidhje hidro-teknike që nuk e dëmtojnë zonën e mbrojtur.

Për këtë çështje, 10 mijë euro i është shqiptuar gjoba nga Ministria Drejtorisë së Shërbimeve Publike e 2 mijë euro kryetarit Muhaxheri. 

Për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj. 

Në një bisedë përmes telefonit, Zekaj pranoi se kanë marrë dënimin por që për të njëjtin janë ankuar dhe ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga ana e Ministrisë. 

“Kur ne kemi filluar punën aty ai Park Nacional ka qenë, që ka qenë Park Nacional e kemi ditë por që ka qenë zonë e parë nuk e kemi ditë. Edhe në plan rregullues e kemi që lumin Shushica me bë digë për ujitje për tokat që janë aty. Kur kemi marrë vesh që është në zonën e parë e kemi ndalë punën dhe kemi apliku për leje. Kur kanë ardhë inspektorat me pyet u kemi thanë që e kemi ndalë punën dhe kemi apliku për leje”- thotë Zekaj. 

Ai thotë se pasi ishte kërkuar leja e ndërtimit, inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë shqiptuar dënimin me gjobë prej 12 mijë euro.

“Masi kemi kërku leje na në njëfarë mënyrë u ka ra ndërmend atyre me dalë në terren. D.m.th. na kemi bërë kërkesë për leje, ata kanë ardhë mas kërkesës dhe më pas kanë shqiptu edhe dënimin”- shton tutje Zekaj. 

Sipas Zekajt, afatet ligjore për përgjigje kanë kaluar. 

“Ka ma shumë se pesë muaj që nuk kemi marrë asnjë përgjigje. As për dënimin që është shqiptuar nuk kemi marrë përgjigje ndërsa afatet janë 30 ditë, por nuk kemi pranuar përgjigje. Drejtori i Shërbimeve Publike tha nuk e di pse është lëshu dënimi me gjobë për kryetarin si person përgjegjës kur punimet janë kryer nga kompania”- thotë tutje Zekaj. 

Bjeshka e ‘pambrojtur’