Bjeshka e ‘pambrojtur’

Si u hap rrugë në mes të Kanjonit të Shushicës, zonë e parë e mbrojtun në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemura, nën sytë e Ministrisë së Mjedisit, Komunës së Pejës dhe kopanisë publike Hidrodrini gjatë vitit 2023. 

Nga Jeta Xharra

Në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ku jetojnë me mija shtazë e bimë që mbrohen me ligje të Kosovës, është hapur rrugë e re pa kurfarë leje.  

Bagerat kanë punuar gjatë gjithë verës së vitit 2023 për të thyer bjeshkën në kanjonin të Shushicës, i cili gjendet disa kilometra mbi grykën e Rugovës.

Kanjoni i takon Zonës së Parë të Mbrojtur të Parkut Kombëtar.

Shtegu në të cilin ne arritëm të shkojmë me makinë deri në mes të kanjonit, kishte qenë shteg i këmbësoreve që është trashëgimi natyrore, kulturore e historike e rugovasve, të cilën e kanë përdor në 600 vitet e fundit për të dal deri te fshatrat Llaz e Bellopaq.

“Bjeshkën e kemi thy me çekiç”, tha punëkryesi Arsim Shehu përmes një bisede me telefon.

Bjeshka është thyer nga Komuna e Pejës në një projekt që ka për qëllim të shtrojë ujësjellës në zonën e mbrojtur për me sjell ujë për banorë të Lugut të Baranit që gjinden 25-30 km larg këtij kanioni.

Debati për t’i sjell ujin 15 fshatrave të Lugut të Baranit është zhvilluar në 15 vitet e fundit prej kohës që kryetar i komunës ka qenë Ali Berisha në 2009. Ai e kishte filluar projektin për furnizimin prej Radacit, ku është burimi i Drinit të Bardhë, por i humbi zgjedhjet pa përfunduar projektin.

Pas tij, Gazmend Muhaxheri, kreytar prej vitit 2013, ka vendosur që uji banorëve të Lugut të Baranit do tu sillet, jo përmes Drinit të Bardhë, por përmes lumit të Shushicës që gjendet në zonën e mbrojtur.

Krejt ky intervenim në zonën e mbrojtur është bërë nën sytë e zyrtarëve të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, organ që i ka 36 punëtorë, e të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen e Bjeshkëve. Ky intervenim është bërë po ashtu nën sytë e zyrtarëve të Hdrodrinit, detyra e të cilëve është të propozojnë zgjidhje hidro-teknike që nuk e dëmton zonën e mbrojtur.

Gypat e kaltërt që kanë pasur për qëllim të shtrohen në këtë rrugë ishin ende të ekspozuar në bjeshkë kur ekipi i Kallxo.com e vizitoi kanjonin e Shushicës me 6 shkurt. 

Me t’i parë këto gypa ekipi ynë shkoi te zyret e Parkut Kombëtar në Pejë për të pyetur se pse nuk janë ndaluar bagerat që kanë punuar në hapjen e kësaj rruge gjatë gjithë verës së vitit 2023. Diku 10 zyrtarë të Parkut të Bjeshkëve të Nemuna me tri makina u mobilizuan të përcjellin ekipin tonë deri te vendi i krimit mjedisor. 

Fatmir Morina që është drejtor i Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, me të parë rrugën e shtruar në mes të kanjonit nga lartësia tha se nuk është në dijeni për këto punime.

“Unë personalisht nuk pasna pas njohuri për një rrugë të tillë, ma herët kam qenë këtu para disa vitesh, por sigurisht vartësit e mi, ata me siguri kanë proces”, – tha Morina.

Ai ka thënë se ndonëse rruga është e komisionuar nga komuna e Pejës, pa lejen e Ministrisë së Mjedisit nuk mund të bëhet.

“Jo pa leje (mjedisore) nuk mund të bëhet”, – tha Morina.

Gjatë inspektimit të bjeshkëve zyrtarët e Parkut Kombëtar filluan të konsultoheshin mes veti dhe biseda e tyre e lirë e konfirmoi atë që Kallxo.com-it ia kishin thanë banorët e kësaj ane që e kishin raportuar shtruarjen e kësaj rruge. 

“Zonë e mbrojtur është. Kanioni zonë e parë (e mbrojur) është”, pohojnë ata.

Në prezencë të ekipit të Kallxo.com Morina e thërret Jusuf Lajçin, zyrtarin e Parkut Kombëtar që e kishte përgjegjësi inspektimin e kësaj zone. 

Pas bisedës me te në vendin e ngjarjes Morina tha që Lajçi ka bërë inspektimin por nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë sepse nuk e kishte hasur askend aty.

“Proces nuk ka por inspektim të rrugës ka se kur paska ardh ky djali 2-3 herë nuk ka hasur në askënd këtu, tha që ka konstatim se është qel kjo rrugë, kam njoftu edhe në drejtori te na po thotë s’kam bo proces se s’kam pas kujt me ja bo se goxha në mënyrë klandestine është çel, që as na s[e kemi ditë kur kemi ardh. Por tash e tutje kjo nuk do të vazhdoj në asnjë variantë mo nuk ka shanca me vazhdu por edhe unë jam i befasur se s’kam informacion, pra s’po e shoh të arsyeshme me fol për diçka që s’jam i informuar”, – tha Morina.

Pretendimi që Jusuf Lajçi nuk ka hasur askend gjatë punimeve është mohuar nga Arsim Sheshu, pronari i kompanisë V Shehu që është angazhuar nga komuna për ta hapur rrugën në zonën e mbrojtur. 

Në një bisedë për Kallxo.com ai tha që ka takuar zyrtarin e Parkut Kombëtar Bjeshëkt e Nemura gjatë punimeve dhe zyrtari pastaj kishte vazhduar rrugën për në komunë të Pejës për t’i shikuar dokuemntet se a ka rruga pëlqim mjedisor dhe lejet e tjera që duhet t’i ketë kushdo që është duke ndërtuar në zonë të mbrojtur.

“Ne e kem ditë që janë të gjitha letrat e kryme…askush s’ma ka ndalë punën… Ka ardh një inspektor, janë kanë mbikqyrsat atë ditë edhe vet kam qenë aty, i ka lyp disa letra edhe i kanë thanë mbikqyrsat e komunës që mundesh me ardh në zyre me i marr edhe mo se kam pa kurrë”, tha Arsim Shehu.

Kjo e konfirmon që hapja e rrugës në zonën e mbrojtur është bërë nën mbikqyrjen e vazhdueshme të mbikqyrësve komunal të cilët e dinë ligjin e Kosovës se nuk mund të punohet në zonë të mbrojtur pa pëlqim mjedisor dhe leje ujore nga Minsitria e Ambientit në Kosovë.

Morina e spjegoi se në çfarë kushtesh mund të intervenohet në zonën e parë. 

“Nëse është interes nacional dhe ka pëlqim nga ministria e Mjedisit, ujërat janë për qytetarët dhe janë të shtetit, nëse do të kishte pëlqim prej ministrisë së Mjedisit do të ishte normale me u hap kjo rrugë, ndryshe është veprim ilegal”, – tha Morina.

Morina ka kritikuar edhe komunën pasi sipas tij është dashur ti njoftoj zyrtarët e Parkut për këtë aktivitet.

“Komuna është dashur të na njoftoj për këtë aktivitet të ndërmarrë në zonën që e menaxhon dikush tjetër. Në zonën e përgjithsisë që e administron drejtoria e Parkut Nacional, i vetmi autoritet që pyetet është vet drejtoria e Parkut nuk mund të ndërhyjë komuna pa lejen përkatëse të MMPHI. Fillimisht do të duhej të bëhej raporti për vlerësimin në mjedis, dorëzohet në Ministrinë e Mjedisit bashkë me kërkesë, pastaj komisioni profesional në vend të ngjarjes bashkë me raportin e VNM-së atëherë e jep apo e refuzon pëlqimin mjedisor. Këtu është habitat i kafshëve kjo ndikon edhe tek ato”, – tha Morina.

Agron Nikçi, Drejtori i Shërbieve Publike në Komunën e Pejës e konformoi që projekti për të marrë ujin nga Lumi i Shushicës është duke u planifikuar qe disa vite nga komuna e Pejës

“Pasi është faza e dytë e projektit, ne kemi dalë në vendngjarje edhe me kryetarin e mbikqyrësat dhe punëkryesin dhe e kemi pa që është e pamundur të realizohet ai projekt përmes këtij lumi dhe kanionit, kemi vendos që të devijohet dhe të shkoj përmes fshatit Dushkajë, kalon mbi Shushicë”, – tha Niçki.

Pra, rruga në bjeshkë është hapur deri në mes të kanjonit dhe punëkryesit kanë hasur në probleme logjistike, dhe me atë rast është ndërruar kahja e punimeve gjë që vë në pikëpyetje se a është thyer bjeshka kot. 

“Projekti është bë para 3-4 viteve sepse komuna po bën përpjekje për me ju siguru ujë atyre fshatrave edhe rruga është hap 600 metra por pa filluar pjesa e kanionit edhe e kërrshave. Është planifiku që në rrugën ekzistuese që të shpie për fshatin Dushkajë të hyj edhe gypi kah është rruga ekzistuese, ajo rrugë s’ka bërë asnjë dëm. Sa për pëlqim mjedisor, krejt kërkesat që i kemi dërguar kanë qenë të pezullume për shkak të ligjit për zonimin e Parkut Kombëtar.

Këtë gjë e mohoi Gazmend Muhaxheri, kreytari i komunës së Pejës i cili u ftua në debat Kallxo Përnime në Prishtinë të diskutojë për këto punime në zonë të mbrojtur duke ia treguar të gjeturat e hulumtimit.

Me 15.02.2023 në debatin që u ftua në Prishtinë, Muhaxheri e konfirmoi që komuna e Pejës ende s’ka aplikuar në Ministri të Mjedisit as për pëlqim mjedior e as për leje ujore që janë dy leje që obligohen t’i kenë ndërtuesit në zona të mbrojtura.

“Nuk e di nuk ka pas leje mjedisore, aplikojmë edhe e marrim edhe lejen mjedisore. Për këtë projekt nuk e kam ditë që është zonë e mbrojtur, kam mendu që nuk është Park Nacional, edhe s’ish dashtë me kanë sepse Parku Nacional siç është diskutuar është dashur të ketë 750 metra lartësi”, – ka thënë Muhaxheri.

Agron Nikqi, i cili ishte zyrtari komunal që u intervistua në Pejë me 6 shkurt kur ekipi i kallxo.com e vizitoi vendin e krimit mjedisor, tha që kjo rrugë rrugë nuk e dëmtuar ndonjë gjë Parkun.

Përkundrazi, tha Nikqi, “për mu është mundësi me vizitu (bukuritë e kanjonit të) Shushicës” me maiknë. 

“Janë rreth 600 metra që janë rrugë të hapura dhe ne do të mundohemi ti kthejm në gjendje të mëparshme. Ajo rrugë do të mbyllet ka qenë me gurë dhe me gurë është edhe momentalisht”, – tha Nikqi, drejtori i shërbimeve publike. 

Dy ditë pas vizitës së ekipit të Kallxo.com në kanjonin e Shushicës, drejtuesit e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemura”, lajmëruan se më 8 shkurt kanë deponuar kallëzim penal për këtë rrugë.

Por, në kallëzim penal Parku Kombëtar nuk e akuzon komunën e Pejës që e ka porosit këtë projekt por e akuzojnë punëryesin, Arsim Shehun.

Kallxo.com ka biseduar edhe me këtë të fundit, Arsim Shehun, pronar në kompaninë ‘V Shehu’ i cili e spjegoi se përgjegjës për marrjen e lejeve mjedisore, ujore dhe ndërtimore janë komuna e Pejës, jo punëkryesi.

“Ata (Parku Kombëtar) munden me bo gjithçka, shyqyr këtu në Kosovë shteti ka nis me u bo, ka shtet, ka ligj, që për çdo njeri që ekziston është e qartë që kompanisë Shehu i ka thënë dikush me shku atje (në zonë të mbrojtur)”, spjegon Shehu.

“Nëse unë do kisha shku atje krye në veti mund të më akuzojnë, por nëse unë jam i urdhëruar nga komuna se i kam pas tre mbikqyrës (komunal) për vizitë çdo ditë, si mund të më akuzojnë mua si kompani? Qysh kanë me m’akuzu mu kur unë jam kompani private ”,  tha Shehu.

Gjatë debatit me Gazemnd Muhaxherin që u zhvillua në Pristhinë me 15.02.2024 ai tha.

“Po shihet që (Kallxo.com) i ke tut në at sulmin e parë edhe at drejtorin e Parkut Kombëtar e ke nxan në befasi se aty ku ke su kanë park. Dmth pjesa ku e ke incizu është pjesë e fshatit Dushkajë, tek më vonë ma andej nis Parku Nacional”, – tha Muhaxheri.

Muhaxheri gjatë debatit e ngriti një [ështje tjetër dhe pretendoi që pushteti qendror i udhëhequr nga Vetëvendosja, e kishte penalizuar këtë projekt duke ia tërhequr fondet particpuese të Hidrodrinit të Pejës. Sipas tij Vetëvendosja e ksihte ndërruar drejtorin e Hidrodrinit gjatë vitit 2023, duke e sjellur një drejtor të vetin dhe me të ardhur drejtori i ri në Hidrodrin, në 8 muajt e fundit, Hidrodrini ishte tërhequr komplet nga ky projekt.

Dri Cena, drejtor i tanishëm i Hidrodrinit e konformoi për Kallxo.com që përderisa Hidrodrini kishte pasur një person mbikqyrës të këtij projekti në të kaluarën, prej që kishte ardhur ai drejtor në Hidrodrin, me të vërtetë ishte tërhjekur komplet nga mkikqyrja e projektit për t’i sjellur ujë banorëve të Lugut të Baranit.

Gjatë debatit Muhaxheri e spjegoi historinë e këtij projekti edhe në të kaluarën. 

“Janë ndërruar katër kompani gjatë punimeve për këtë projekt. Pasi që i humbën zgjedhjet, projekti nisi me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hidrodrinit dhe Komunës së Pejës, marrëveshje që e kanë pas ata për me nis. Me humbjen e pushtetit, nuk e kishin komunën e Pejës nën menaxhim, MMPH nën drejtimin e AAK-së i ka hek fondet dmth 400 mijë euro për këtë projekt që u parapa me u kry në vitin 2012-2013”, – thotë kryetari i Pejës.

Ai ka shpjeguar edhe arsyen se pse ka pasur devijime në projekt.

“Nuk ka mujt me u marr uji nga burimi i Radacit dhe ka zgjedh me shku në Shushicë sepse s’ka pas ramje të ujit (nga Radaci). Nja 2-3 vjet asambleistët e AAK-së kanë thënë që s’ka ujë tek lugu i Baranit edhe tanë kohën kanë bërë propagandë që kryetari është tu dërgu diku ujë ku s’ka ujë. Tash kah fundi këta të Vetëvendosjes që erdhën e murën ‘Hidrodrinin’ (dhe e ndalën kontributin e Hidrodrinit). Domethanë ky projekt ish kry vitin e kaluar sikur mos të ishin heq 200 mijë euro që janë të ndamë në këtë kompani (Hidrodrini) për me përfundu ky projekt (e që janë tërheq)”, shtoi Muhaxheri.

Për këtë projekt, Komuna e Pejës nuk ka leje mjedisore

“Nuk ka leje mjedisore, por tash e marrim lejen mjedisore. Në të kaluarën për rrugë në Bjeshkë të Rugovës i kemi marr dy leje për me i bo ato rrugë edhe pas intervenimeve në ministri që me ja ndalë punën kryetarit Muhaxheri, prej vitit 2016, ’17, ’18 e te knej”, tha Muhaxheri gjatë debatit me Ministrinë e Ambientit.

Ndërsa për këtë projektin e fundit, thotë që s’ka aplikuar për leje mjedisore, sepse s’ka qenë në dijeni që aty është Park Kombëtar.

“Po se pasna ditë që bash qaty Parku Nacional qysh u diskutu (në hulumtim) …E ka pas të caktume edhe vijën ka ka me shku Parku Nacional… Parku Nacional nuk është vend që s’mund të punohet. Ministria besoj që e ka parasysh interesin e qytetarëve që janë shumë fshatra që do të furnizohen me ujë. Kjo rrugë është traseja ku do të vendoset gypi”,  ka shtuar Muhaxheri.

Elbasan Shala, Drejtor i Inspektoratit në MMPHI, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se leja mjedisore duhet të merret para se të fillohen punimet.

“Aplikimi nuk ndalohet edhe pasi që fillojë projekti por e mira është të aplikohet për leje para se me fillu projekti, para se me fillu me pas një ndërtim. Pëlqimi mjedisor nëpër hapësira të mbrojtura lëshohet për infrastrukturë në këtë rast edhe në atë ujore që përfshihet ujësjellësi dhe kanalizimi. Fillimisht para se të lëshohet leja, ekspertët e ministrisë e vlerësojnë ndikimin në mjedis, e bëjnë një raport dhe në bazë të atij raporti, komisioni e bën shqyrtimin dhe e lëshon ose jo lejen”, ka sqaruar Shala.

“Pa pëlqim mjedisor realisht nuk duhet me ndërhy në zona të mbrojtura edhe me projekte të tilla. Ligjet janë të qarta. Nëse del që në bazë të vlerësimit të ekspertëve, ky investim më shumë bën dëm se sa dobi atëherë, [ëlqimi mjedisor nuk lëshohet”, – ka sqaruar tutje.

Për projektin e Komunës së Pejës, inspektorati i MMPHI, janë njoftuar para dy ditësh.

“Tash jemi njoftuar për këtë ndërhyrje, ne do të shohim, tash drejtoria e Parkut paska fillu me procedura. Drejtoria e Parkut Nacional, “Bjeshkët e Nemuna”, duhet të përcjell çdo lëvizje që bëhet aty”, – tha tutje inspektori i MMPHI në debatin e zhvilluar me 15.02.2023.

Kryetari i Pejës ka insistuar se ka ndërhyrje politike ndaj komunës që ai drejton.

“Hala nuk kemi leje për projektin e Borea. Na i kanë pezullu edhe lejet që i kemi pas, qata po thom është ndikim politik ndaj komunës së Pejës. Ministria e ka një farë grupi njerëzish me emër e mbiemër që janë të licencuar prej Ministrisë për me ba vlerësimin e ndikimit në mjedis edhe s’kanë bo”, tha Muhaxheri.

Projekti i ujësjellësit që po bëhet në zonë të mbrojtur është ngritur në asamblenë e Pejës nga AAK-ja

Përfaqësuesit e opozitës në Kuvendin Komunal të Pejës e spjeguan që çështjen e këtij projekti e kishin ngritur në Asamble përdiskutim, jo kah aspekkti mjedisor, sepse nuk kishin qenë në dijeni se punimet po bëhen në zonën e mbrojtur, por kah aspekti i shpenzimeve bugjetore që ishin bërë duke e uar gypin kah një pjesë e cila kishte hasur në probleme logjistike dhe buxheti ishte shpenzuar kot sepse tash duhet të gjindet rrugë e re për marrjen e ujit. 

Naim Bytyqi, asambleist nga AAK, parti opozitare në Pejë, tha se për shkak të mosplanifikimit të mirë inxhinierik, Komuna kishte shpenzuar pare të taksapaguesve kot dhe nuk e kishte zgjidhur problemin e ujit edhe pasi e kishte shpuar kanjonin e Shushicës.

“Vitet e fundit janë bërë tentativa për devijime për me u lidh me kanionin e Shushicës, mendoj se afër një kilometër është gërmu shkëmbi, është bërë një shkelje shumë e rëndë. Mendoj se s’është bërë asnjë analizë e fizibilitetit dhe punëkryerësi ka hasur në një shkëmb që është dashur me e pa ma herët, ai shkëmb ka qenë aty (gjithmonë), prej që është bërë toka, s’ka dalë sot. Afër një kilometër (rrugë) është investuar kot (për tu hapur) nga mjetet e tona. Në aspektin ekonomik e kam ngrit si çështje (në asamble)”, tha Naim Bytyqi, nga AAK në Pejë

Kryetari i komunës së Pejës ka thënë se ministrat e AAK-së sa kanë qenë në pushtet i kanë hequr nga projektit 400 mijë euro (disa vite më parë kur) Ministër i Ambienit kishte qenë (Blerim) Kuçi (nga AAK). Ajo sihte revansh, domethanë  ‘e hupëm pushtetin (në Pejë) dhe tash mos ta kryjm,ë projektin’ edhe qekaq u kanë puna”, tha kryetari i Pejës  

Naim Bytyqi Kërkoio nga Gazmend Muhaxheri të mos ankohet e viktimohet vazhdimisht që opozita po i hakmirret Muhaxherit kur në fakt ai s’po mund të menaxhojë projekte për shkak të planifikimi të dobët. 

“A ta ka qitë AAK-ja qet shkëmb në rrugë, a ta ka qitë Vetëvendosja qët shkëmb në rrugë, nëse ta kanë qitë partitë opozitare në rrugë atëherë jemi në rregull. Nuk shkon mo me këto arsyetime! Vullnet s’ke pas me përfundu këtë projekt pse s’e ke pa shkëmbin. Mepare tona kot e ke gërmu at shkëmb, ai shkëmb ka qenë aty se s’ka faj AAK-ja as Vetëvendosje e as Albin Kurti”, i tha Bytyqi Muhaxherit gjaë debatit të zhvilluar në Prishtinë.

Bytyqi poashtu e ka pyetur Muhaxherin se pse e ka shkelur ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

“Po le bre mbrojtjen e mjedisit, kurrgjë hiç (s’u bë). E kalojmë atë shkëmb, paret i pagun (kompenzimin e bën) komuna, (me pare) tujat e tonat”, ia ktheu Muhaxheri.

Muhaxheri ka insistuar se nuk ka bërë dëme në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, me këtë projekt.

“Dëm i madh (s’u ba). U thy një kërrsh. Janë heq do kaquba të kqija edhe u zgjëru një rrugë që u kanë një metër, u bo tri metra”, tha Muhaxheri.

Kur u sfidua se ky shteg ishte i mbrojtun dhe trashëgimi natyrore, Muhaxheri e minimizoi. 

“Çfarë shtegu me kulturë historike, ai është shteg i magarëve! (Ka qenë shteg) me kalu magart me bajt dru që i kanë vjedh. Edhe tash kanë me mbijetu kafshët aty. Aty hin gypi i ujit”, – tha Muhaxheri.

Nëse në të kaluarën kanë bajt dru të vjedhur në magar, tash mund të barten drutë e vjedhur në kamiona që mund të kalojnë në rrugën e re të hapur në kanjon.

Naim Bytyqi nga AAK-ja pretendon që 1.1 milionë euro të investuara në këtë rrugë që ka dështuar të sjell ujin, janë të humbura. 

“Çka nëse ministria e pengon me vazhdu këtë projekt. Ku shkojnë 1.1 milionë (eruo investime të komunës). Hup këtu, hup aty! Komuna ka mujt me bo kërkesë në ministri, është detaj shumë i thjesht, edhe mos me vazhdu punën pa pëlqim”, tha Bytyqi.

Kryetari i Pejës tha se këto fshatra të Lugut të Baranit do të furnizohen shumë shpejt me ujin e pijës.

“Na e kena kry punën, çka kanë me bo këta tash? Ka mu bo vlerësimi i ndikimit në mjedis, e bjen një ekspert thotë koka thy tri metra guri, çka u bo dëm në qato tri metra guri që kokan thy? ..Unë po them që interes më i madh është uji mu marr aty se sa qajo që po mendoni që ka diçka për mu mbrojt qaty”, – tha Muhaxheri.

Elbasan Shala, udhëheqës ii Inspektoratit në MMPHI, ka thënë se nëse dikush fillon një projekt pa e pas lejen mjedisore, siç është rasti i komunës së Pejës, do të marrin masa pasi që ta analizojnë situatën.

“Do ta trajtojmë si rast por edhe nëse e kish pas pëlqimin mjedisor, duhet ta ketë edhe një pëlqim ujor, pas pëlqimit mjedisor duhet të merret edhe ai ujor. Këtu është me rëndësi për burimet ujore sepse në bazë të vlerësimit caktohet a ka ujë të mjaftueshëm me marr qat sasi të ujit a jo se nashta krejt i qon gypat edhe del që nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit. Unë nuk di a është bërë një vlerësim i tillë qoftë prej Hidrodrinit qoftë prej Komunës. E për këtë projekt nuk ka asnjë aplikacion as për pëlqim mjedisor e as për ujor”, – tha Shala.