Shtëpi e tokë, pasuria milionëshe e Gazmend Muhaxherit

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka pasuri të paluajtshme në vlerë 2 milionë e 328 mijë e 610 euro.

Në këtë pasuri hyjnë: katër shtëpi, katër toka dhe një objekt si “ndërtim i ri”.

Muhaxheri ka deklaruar se nga i ati ka trashëguar një shtëpi prej 120 metrash katrorë në vlerë prej 225 mijë eurove, si dhe ka blerë një tokë prej 49 mijë e 733 metrave katrorë, në vlerë prej 97 mijë e 660 euro.

Një shtëpi e ka vlerësuar 600 mijë euro dhe një tjetër 450 mijë euro- të dyja po ashtu të trashëguara nga babai.

Ndërsa shtëpinë e katërtë e ka vlerësuar 40 mijë euro.

Muhaxheri ka deklaruar se posedon tokë në vlerë mbi 875 mijë euro, dhe objekte të tjera në vlerë 138 mijë euro.

Në emrin e bashkëshortes, ai i ka deklaruar dy vetura: njëra në vlerë 5 mijë euro dhe tjetra e tipi Volkswagen në vlerë 12 mijë euro.

Bashkëshortja e tij, siç ka deklaruar Muhaxheri, i ka në bankë 10 mijë e 287 euro, ndërsa  personalisht ka kredi që nga viti 2018. Për ta shlyer këtë kredi i kanë mbetur edhe 23 mijë e 14 euro e 21 centë.

15 mijë e 332 euro e 28 centë është paga vjetore, ndërsa 3 mijë e 619 euro e 87 centë është shuma e mëditjeve që i merr Muhaxhiri, po ashtu në bazë vjetore.

Gjatë 2023-tës, Muhaxheri pati të hyra edhe nga qiraja në vlerë prej 33 mijë e 600 euro.

Ai ka deklaruar gjithashtu edhe 18 mijë e 912 euro të ardhura të bashkëshortes nga Universiteti i Prishtinës.

Linku për qasje në deklarimin e pasurisë së Gazmend Muhaxherit.