Muhaxheri pas takimit me Escobarin: Rrugëtimi i përbashkët i Kosovës me SHBA-në është jetik

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 14.03.2024 në Pejë.

Muhaxheri ka thënë se nga të dyja palët është vlerësuar jetik rrugëtimi i përbashkët në proceset integruese të Kosovës bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Isha i nderuar, që bashkë me ekipin tim të isha nikoqir i takimit të z.Gabriel Escobar, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, shkëlqesisë së tij z.Jeffrey M. Hovenier me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit me theks të veçantë nga të dyja palët është vlerësuar jetik rrugëtimi i përbashkët në proceset integruese të Kosovës bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- ka shkruar Muhaxheri në Facebook.

Gjatë qëndrimit në Pejë, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se qeveria amerikane dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë të sigurt dhe dinjitetshëm.

Për këtë, ai ka thënë se do ta mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket komunitetit që jeton këtu, dua që komuniteti të ndiejë dhe të dijë se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte sigurie dhe dinjiteti. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. E sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta bërë atë dhe ne do t’i mbajmë përgjegjës”- është shprehur Escobar për Radio Gorozhdecin gjatë vizitës së tij në Pejë më 14.03.2024.

Emisari amerikan Gabriel Escobar sot takohet me kryeministrin Albin Kurti