Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Suspendohen Dy Zyrtarë të Inspektoratit Policor

Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se pas pranimit të një njoftimi zyrtar nga Prokuroria e Shtetit se ndaj dy zyrtarëve të IPK-së është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ka marrë vendim të suspendojë me pagesë dy zyrtarë të lartë të saj.

Inspektorati bën të ditur se vendimi për suspendim bazohet në Ligjin Nr. 03/L-231 për Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 16/MPB-2015 për përcaktimin e shkeljeve, masave disiplinore dhe procedurës disiplinore ndaj punonjësve të IPK-së.

Në njoftimin e Inspektoratit nuk jepen më shumë të dhëna për zyrtarët e suspenduar, as se për çfarë ata dyshohen.

Në Kosovë që nga 05.04.2024 ka nisur regjistrimi i popullsisë, i cili pritet të zgjasë deri më 17.05.2024.

Deri në fund të procesit kanë mbetur edhe dy javë por fushata për informimin e qytetarëve të vendit po pretendohet se nuk është realizuar në mënyrën më të mirë.

Kështu ka vlerësuar zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra.

“Unë kam qenë anëtar i komisionit komunal të regjistrimit në vitin 2011 kur është bërë regjistrimi dhe jam edhe tani edhe e kam bë një dallim se si ka qenë më 2011 dhe qysh është bërë tani. Dallimi është esencial, fatkeqësisht, mirë ka qenë më 2011, keq është më 2024” – ka thënë Dobra në emisionin “Kallxo Përnime”.

Për këtë ai ka bërë një postim në rrjetin social Facebook ndërsa tha se institucionet e vendit patën mjaftueshëm kohë për përgatitjet për procesin.

“Kritika ime ka qenë që fushata vetëdijesuese, është dashtë me qenë shumë në nivel më të lartë, nuk ka qenë fatkeqësisht. Ne kemi raste shumë në komunë që pyesin si është procedura. Ka regjistrues të pandërgjegjshëm, thotë: ‘Qëlluan sa qëlluan’ dhe e mbyll intervistimin” – ka vlerësuar Dobra.

“Me krahasu këtë vit me vitin 2011, tani kemi më shumë televizione se atëherë dhe nuk shohim mjaftueshëm spote ku bëhet thirrje për regjistrim të popullsisë” – tha ai.

Por, me këtë nuk është pajtuar drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

“Ne kemi shpenzuar diku 4 për qind të buxhetit në fushatën e vetëdijesimit, në tetë televizione shfaqen reklamat nga tre herë në ditë” – ka thënë Kastrati.

“Në mediat sociale, në artikuj të shkruar, konferenca, debate. Përmes ‘Valës’ kemi dërguar mesazhe po ashtu. Ne jemi munduar në maksimum, janë shpenzuar rreth 400 mijë euro për fushatë. Në rrjete sociale gati 50 për qind e buxhetit është fokusuar” – ka deklaruar kreu i ASK-së.

www.kallxo.com