I dyshuari për vringëllim të armës dhe kanosje të policëve është vetë polic

I dyshuari për vringëllim të armës dhe kanosje të zyrtarëve policorë në Ferizaj është edhe vetë polic.

Këtë e konfirmuan Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

I dyshuari është suspenduar me rekomandim të IPK-s, pasi është njoftuar për rastin.

“I dyshuari në këtë rast, zyrtari policor, me rekomandim të IPK-së është suspenduar, fillimisht për 72 orë, dhe të njëjtit me rekomandim të IPK-së i vazhdohet suspendimi deri në një vendim tjetër” – thuhet në përgjigjet e IPK-së.

Bashkë me prokurorinë, institucioni mbikëqyrës i policisë tha se po ndërmarrin veprimet hetimore.

Në raportin 24 orësh të policisë është njoftuar se i dyshuari ka vringëlluar armën dhe më pas ka kanosur zyrtarët policorë gjatë intervenimit.

“Pas një mosmarrëveshje në mes të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë, njëri prej tyre dyshohet se ka virgëlluar armën” – thuhet në raport.

Rasti ka ndodhur më 02.05.2024 rreth orës 01:30 në Ferizaj dhe arma është konfiskuar me vendim të prokurorit.