Kurti: Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar dy javë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se mbi 1 milion qytetarë janë regjistruar kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundim të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

“Sot bëhen 2/3 e procesit të regjistrimit, ndërsa kanë mbetur edhe 14 ditë deri në fund. Pjesëmarrja e qytetarëve është e lartë dhe misioni i ekspertëve të UNECE dhe UNFPA ka konstatuar se Agjencia e Statistikave të Kosovës po bën një punë shembullore në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e procesit”- ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit.

Pasi, siç ka shkruar ai më tej, ky proces që ndodh çdo dhjetë vjet është vendimtar për planifikimin tonë si shtet dhe progresin tonë si shoqëri.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar me 05.04.2024 dhe vazhdon deri më 17.05.2024.