Pse u tërhoqën mbi 1,700 regjistrues nga procesi i regjistrimit të popullsisë?

Mbi 1,700 persona, zyrtarë për regjistrim të popullsisë, janë larguar nga procesi ende pa filluar mirë puna.

Sipas kreut të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, për të njëjtit shteti ka kryer edhe trajnimet e veçanta për regjistrim të popullsisë, por në fund ata nuk janë pajtuar që të angazhohen.

“Nga 4,300 që kanë qenë në fillim ka pasur diku mbi 1,700-1,800 që nuk kanë qenë të gatshëm, ose kanë pasur një vend pune me vazhdu. Po, u kemi mbajtë edhe trajnimet” – ka deklaruar Avni Kastrati në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kastrati ka treguar edhe arsyet se pse shumë regjistrues u tërhoqën pasi ishin pranuar në këtë pozitë.

“Na kanë thënë të rinjtë e të rejat që s’mund të punojmë për 700 euro, ne s’i kemi pagu ata që nuk janë angazhuar. Trajnimet janë organizuar pesë ditë por një pjesë nuk kanë qenë të gatshëm me vazhu siç thash” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, Bekim Dobra, anëtar i komisionit komunal për regjistrimin e popullsisë në komunën e Drenasit tha se një problem tjetër ka qenë mospagesa e zyrtarëve rezervë për regjistrim.

“Ata zyrtarët që kanë qenë rezervë e kanë ndjekë trajnimin dhe na vjen një telefonatë nga ASK që thotë nuk do të paguhen. Ata kanë nënshkruar kontrata, si është e munduar?” – ka thënë Dobra në “Kallxo Përnime”.

www.kallxo.com