Policia në Prizren duke shqiptuar gjoba kundërvajtëse ngasësve të motoçikletave, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Në Prizren Policia shqipton 42 gjoba dhe sekuestron 14 motoçikleta

Policia në Prizren për dy ditë ka shqiptuar 42 gjoba për kundërvajtje të ndryshme kundër ngasësve të motoçikletave dhe trotinetëve dhe ka sekuestruar 14 motoçikleta.

Sipas njoftimit të Policisë, më 02.05.2024 dhe 03.05.2024, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren ka përpiluar një plan operativ që patrullat policore të tyre t’i mbikëqyrin ngasësit e motoçikletave dhe trotinetëve se a po i zbatojnë rregullat e trafikut në fuqi.

“Në cak janë kryesisht motoristë të cilët nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor, konkretisht që në komunikacion qarkullojnë në kundërshtim me ligjin e trafikut” – është përshkruar plani operativ nga Policia.

Nga data 03.04.2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky Ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.

Sipas Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, në nenin 127 ku është folur për rregullat e trafikut për trotinet elektrik, drejtuesit e trotinetit elektrik duhet të lëvizin në shiritin e biçikletave ose në shtegun e përbashkët për biçikleta dhe për këmbësorë.

Ndërkaq në paragrafin 5 të nenit 127 është përcaktuar shpejtësia me të cilën lejohet të operojë një trotinet elektrik, e cila është 25 km/h. E kushdo që nuk e respekton këtë kufizim do të ndëshkohet me gjobë  prej 150 euro dhe do t’i konfiskohet trotineti për tre muaj.

Sipas Ligjit të ri do të dënohet me 150 euro gjobë dhe 3 muaj do t’i konfiskohet trotineti elektrik kushdo që e nget në zonën për të cilën nuk është përcaktuar lëvizja e tij.

Kështu, me 150 euro dhe 3 muaj konfiskim të mjetit do të dënohet personi që vozit trotinetin në trotuar dhe në hapësira të tjera të parapara për këmbësorë/sheshe.

Sa u përket motoçikletave sipas këtij Ligji, në nenin 178, është folur për masën e mjeteve të bashkangjitura që tërhiqen nga motoçikleta apo mopedi. Në paragrafin 3 thuhet se “masa e përgjithshme e rimorkios së tërhequr nga motoçikleta apo mopedi nuk lejohet ta tejkalojë masën e përgjithshme për secilin prej këtyre mjeteve mbi njëqind (100) kg”.

“Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 40 euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 3, të këtij neni” – thuhet në paragrafin 5, të nenit 178.

Si përfundim, në njoftimin e Policisë janë përmendur disa nga rregullat e komunikacionit që duhet të zbatohen nga ngasësit e trotinetëve elektrikë dhe motoçikletave.

Mjetet e tyre duhet të doganohen dhe regjistrohen, targat të vendosen në vendin e duhur, ngasësit duhet të kenë patentë shoferi për kategorinë përkatëse, ngasësi dhe pasagjeri duhet të ketë helmetën e përshtatshme për siguri, duhet të respektohen shenjat e komunikacionit” – thuhet në njoftimin e Policisë.