Foto: Albin Kurti, Facebook
Çfarë po bën Kryeministria për ngritjen e kapaciteteve në zyrat e informimit në institucione për luftimin e dezinformatave?
Në institucionet publike të Kosovës punojnë rreth 200 zyrtarë në zyrat e komunikimit për media. Por, puna e tyre në luftimin e dezinformatave shpesh është kritikuar nga profesionistët e fushës dhe shoqëria civile.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë që në zyrat për informim në institucionet publike duhet të shtohet stafi por edhe pajisjet teknologjike për zyrtarët në mënyrë që luftimi i dezinformtave të jetë më efektiv.
Ai tha se Kosova shpeshherë është cak i dezinformtave ruse.
“Sfida e kohës tonë është luftimi i dezinformimit, kjo është një sfidë globale dhe Kosova përveç që nuk përbën përjashtim shpeshherë është edhe cak i fushatave dezinformuese nga shtetet jomike” – thotë Kryeziu për emisionin “Kallxo Përnime”.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka nisur një seri trajnimesh për zyrtarët e informimit në bashkëpunim me Qeverinë e Britanisë së Madhe.
“Duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun e dezinformatave, ne në Kryeministri kemi filluar një bashkëpunim tash e një vjeçar me Qeverinë britanike, përkatësisht shërbimin e komunikimit të Qeverisë britanike përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, ku përmes përvojave të tyre, trajnimeve dhe punëtorive të rrisim vetëdijen dhe kapacitetet tona për identifikimin, trajtimin dhe kundërvënien e dezinformatave” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë kosovare.
Në këto trajnime janë përfshirë zëdhënës nga Kryeministria, ministritë dhe institucione e tjera publike ndërsa, sipas Kryeziut, në këto takime janë ftuar edhe shoqëria civile.
Por, sipas tij, në zyrat për komunikimin publik mungojnë ende kapacitetet që të luftohen dezinformtat.
“Për vlerësimin tim kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve për shkak se vetëm në dy-tre vitet e fundit ka një evoluim të madh të skenës mediatike. Pra mendoj që ka nevojë për trajnim të vazhdueshëm që të jenë të përditësuar me ndryshimet që ndodhin por ka nevojë edhe për rritje të kapaciteteve sepse kërkesa është në rritje, sepse është rritur edhe numri i mediave dhe kërkesave” – ka deklaruar Përparim Kryeziu.
Në anën tjetër, Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës ka thënë se investimi në pajisjet teknologjike do ta rriste efikasitetin e zyrave të informimit në luftën kundër dezinformatave.
“IPK por edhe disa agjenci në kuadër të MPB-së qëndrojnë mirë sa i përket resurseve njerëzore por ajo çfarë duhet të fuqizohet është në kapacitetet profesionale, trajnime të specializuara por edhe pajisje të specializuara sepse teknologjia nëse avancon, që të detektohet dezinformata sa më herët, duhet të ketë edhe pjesën e teknologjisë” – deklaroi Beka.