Foto-ilustrim

Plagosja në Lupç të Podujevës, Gjykata cakton paraburgim për 4 nga 5 të dyshuarit

Gjykata e Prishtinës ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit S.H., F.H., A.H., F.M. dhe B.M., të dyshuar për rastin që ka ndodhur në Lupç të Podujevës më 01.05.2024, ku ishin plagosur me armë zjarri e thikë katër persona.

Të pandehurit dyshohen për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë dhe secili veç e veç edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve S.H., F.H., A.H. dhe F.M., ndërsa ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim për të pandehurin B.M., pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.M, pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës më 03.05.2024.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Sipas Policisë, katër persona kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre me armë zjarri e njëri me thikë, në një përleshje që ka ndodhur në Lupç të Podujevës më 01.05.2024.

Të plagosurit në këtë rast ishin dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Lidhur me rastin, Prokuroria e Prishtinës kishte lëshuar aktvendim për ndalimin për 48 orë të pesë personave të dyshuar.