Prokurori i shkarkuar propozohet si dëshmitar në gjykimin e për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

Në gjykimin e të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku për vrasjen e dyfishtë në fshatin Plloqicë të Malishevës, sot në gjykatën e Gjakovës ishte planifikuar që të bëhej leximi i provave materiale.

Por kjo nuk u bë për shkak se trupi gjykues vendosi ta ftojë si dëshmitar një ekspert të balistikës, pas kërkesës së përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Fehmije Gashi Bytyqi.

Në fillim të seancës, avokatja Gashi Bytyqi i propozoi gjykatës që si dëshmitar të thirret edhe përpiluesi i aktakuzës në këtë rast, ish-prokurori Agron Matjani, por kjo kërkesë nuk u aprovua.

Më 10 maj, Këshilli Prokurorial i kishte rekomanduar Presidentit të Kosovës që ta shkarkojë Matjanin nga posti i Prokurorit, pas zhvillimit të një procedure disiplinore ndaj tij.

“Arsyetimi të cilin e ka bërë në aktakuzë nuk përkon me cilësimin juridik lidhur me veprat penale që ka të bëjë me të pandehurin Blerim (Maloku)”, tha avokatja Bytyqi.

Blerim dhe Besim Maloku po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës në rastin e vrasjes së Bahri dhe Shani Malokut në natën e 9 marsit 2018.

Ndërsa propozimi tjetër i saj ishte që të ftohet eksperti i balistikës ose të nxirret ekspertiza mbi gjetjet e dozës së parafinës, ku përmenden mostrat e barutit të marra nga dy të akuzuarit si dhe në rrobat që janë gjendur.

Mirëpo prokurori i tanishëm Ramiz Buzhala, propozimet e avokates i la në vlerësim të gjykatës.

Në anën tjetër lidhur me propozimin e avokates Fehmije Gashi Bytyqi, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj, tha se propozimi është i gabueshëm.

“Kurrë nuk kam dëgjuar se një propozim i tillë është aprovuar, meqenëse në formë të propozimit hapet një qasje tjetër e cila i ngjan një denoncimi të një zyrtari që ka kryer hetimet”, tha avokati Dodaj.

Mirëpo trupi gjykues i përbërë nga kryetari i trupit Gëzim Pozhegu i ndihmuar nga anëtarët Besarta Doli dhe Ilir Rashkaj, derisa refuzuan propozimin që të ftohet përpiluesi i aktakuzës Agron Matjani si dëshmitar, aprovuan që të ftohet eksperti i balistikës lidhur me zjarrvënie, eksploziv dhe grimca të barutit.

Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar nesër me dëgjimin e ekspertit e pastaj me leximin e shkresave të lëndës.

Qan në Gjykatë gjatë dëshmisë për dy vëllezërit e vrarë

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin, sipas Prokurorisë, nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë: Avokati e sfidon aktakuzën

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në gjykimin e mbajtur në muajin dhjetor 2018, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

Vrasja e pjesëtarit të FSK-së, i akuzuari për armëmbajtje pranon fajësinë

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim prej 9 marsit 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Xhemajl dhe Afrim Malokut.

Njëri nga të Vrarët në Malishevë Pjesëtar i FSK-së

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

Arma që vrau vëllezërit në Malishevë ende e paidentifikuar

Rrëfimet e dëshmitarëve për vrasjen e pjesëtarit të FSK-së dhe vëllait të tij në Plloqicë të Malishevës