Foto-ilustrim

Kërkohet paraburgim ndaj 8 të dyshuarve për vrasjen në Balincë të Malishevës

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar 30 ditë paraburgim për tetë persona të dyshuar në lidhje me vrasjen që ka ndodhur më 31 gusht në Balincë të Malishevës.

Po ashtu, kjo prokurori ka marrë vendim për fillim të hetimeve.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri XH.G, ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë ndërsa për të pandehurit F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Të pandehurit me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orëve.

Më 31 gusht 2023, një burrë dyshohet se u qëllua me armë zjarri në Balincë të Malishevës dhe më pas u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë. Aty ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore  është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekja e tij. Në këto momente jemi në kërkim të të dyshuarit/ve. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”- kishte deklaruar më 31 gusht 2023, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj kishte bërë të ditur se është konfiskuar edhe një armë zjarri.