Në Gjykatë shikohen pamjet e masave të fshehta të përdorura ndaj ortopedit të akuzuar për ryshfet

Sabit Sllamniku, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre si kryetar i Komisonit për vlerësimin e invaliditetit, është ballafaquar me masat e fshehta të Prokurorisë së Prishtinës.

Sllamniku akuzohet se ka kërkuar e më pas pranuar para për dhënien e vlerësimit për invaliditet.

Rasti kishte filluar të hetohet dhe ishte finalizuar me aktakuzë për Sabit Sllamnikun pas raportimit që kishte bërë KALLXO.com në korrikun e vitit 2021. 

Fillimisht në KALLXO.com ishte paraqitur viktima, i cili pretendonte se një doktor po i kërkonte para për t`ia caktuar masën e invaliditetit në mënyrë që më pas viktima të merrte pension.

Në videot e shfaqura në Gjykatën e Prishtinës, Prokuroria pretendon se nga video-incizimet shihet teksa Sllamniku i kërkon para palës së dëmtuar, në këtë rast Ekrem Saçit. E ky i fundit ia jep 100 euro në dorë.

Lidhur me këto pretendime të Prokurorisë reagoi avokati Driton Muharremi, i cili mbron Sllamnikun.

Sipas Muharremit, tërë kjo ngjarje ishte një spektakël i cili ishte bërë nën udhëheqjen e njëres nga gazetaret e KALLXO.com.

“Siç e pamë në këto dy video-incizime, edhe ky spektakël u bë nën udhëheqjen e gazetares së KALLXO.com dhe me një aktrim të pretendentit se është i dëmtuar E.S., i njëjti edhe vetë iu rrëfye gazetares se për inati nuk dojsha me u ngrit (në këmbë)”- tha Muharremi.

Sipas avokatit, nga këto pamje shihet qartë se Sllamniku si ekspert i kishte kërkuar paratë në emër të ekspertizës. Paratë sipas avokatit ishin kërkuar që t’i bëheshin në xhirollogari bankare.

“Ndërsa kishim dëshmitarë këtu se eksperti në emër të ekspertizës kërkoi t’i transferohen në llogari bankare vetëm 100 eurot që i takojnë atij. I thotë qe duhet me bo pagesën në bankë dhe pasi që E.S. i thotë: “A bon kështu me pagu?”, përsëri ia konfirmon se duhet në bankë dhe pastaj viktimizohet duke thënë se: “Nuk muj me ec, nuk di ku duhet, se jam me autobus, e me karrocë” – tha Muharremi.

Ndërsa prokurori që përfaqëson akuzën, Zef Prendrecaj, tha se nga video-incizimet shihet qartë se i pandehuri e udhëzon që t’i bëjë pagesën përmes bankës por që brenda sekondave ndërron mendje.

“Nga video-incizimi shihet se si i pandehuri fillimisht e udhëzon që të bëjë pagesën përmes bankës, por brenda pak sekondave ndryshon mendje dhe parat i pranon në dorë, paratë i pranon në dorë vetëm për vete kurse për dy ekspertët e tjerë e sugjeron të dëmtuarin që pagesën ta bëjë te të njëjtit ose përmes xhirollogarisë”- tha prokurori.

Prendrecaj tha se ky rast ishte një simulim i suksesshëm mes Prokurorisë, Policisë dhe gazetarëve.

Seancën e radhës i akuzuari Sllamniku pritet të deklarohet nëse do të japë mbrojtjen e tij ose jo lidhur me pretendimet e Prokurorisë.

Rasti është duke u gjykuar nga kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri.

Sipas aktakuzës, e cila i është dorëzuar Gjykatës më 31.10.2022, i akuzuari Sabit Sllamniku si kryetar i Komisionit për vlerësimin e invaliditetit, kishte kërkuar 100 euro nga i dëmtuari E. S. në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

I akuzuari, sipas Prokurorisë, i ka kërkuar nga 100 euro edhe për anëtarët e tjerë të Komisonit për vlerësimin e invaliditetit, përkatësisht 300 euro gjithsej.

Sllamniku, sipas dosjes së Prokurorisë, më 13.07.2021 ishte nxënë nën masa të fshehta të vëzhgimit duke pranuar shumën prej 100 euro në formë të ryshfetit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Sllamniku si mjek ortoped në QKUK si kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit me qëllim që të përfitojë për anëtarët e tjerë të komisonit, I. M. dhe G. M., më 11.06.2021 ka kërkuar nga e dëmtuara F.K.  t`i paguhen paratë në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Sipas Prokurorisë, Sllamniku si kryetar i Komisionit ka kërkuar që përmes bankës t`i paguheshin 100 euro për secilin anëtar të Komisionit përmes bankës.

Djali i të dëmtuarës në po atë datë kishte deponuar në xhirollogari nga 100 euro për secilin anëtar të komisionit.

Kështu i njëjti akuzohet për marrje ryshfeti dhe për dispozitivin dy akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Aktakuza për Sabit Sllamnikun ishte ngritur nga prokurori Shkelzen Ibrahimi.