Arkivoli i Ali Lajçit i vendosur në korridorin e Kuvendit të Kosovës. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës, 30.04.2024.

Varroset Ali Lajçi, nderohet nga krerët institucionalë e politikë

Ali Lajçi, aktivist politik, ish-kryetar i Pejës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili vdiq më 28.04.2024 në moshën 69-vjeçare, është varrosur sot.

Krerë të institucioneve dhe të partive bënë homazhe dhe e kujtuan figurën e tij me fjalë të mëdha, disa prej të cilave i shkruajtën edhe në librin e zisë.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja, Saranda Bogujevci, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ministra e deputetë bënë homazhe para arkivolit të Lajçit, i cili u vendos sot në korridorin e Kuvendit.

Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës, Facebook

Osmani tha se ai do të mbahet mend për aktivitetin e tij të pareshtur patriotik gjatë gjithë jetës.

E kryeministri Kurti tha se qysh nga rinia e hershme, Lajçi nuk u ndal asnjëherë në veprimtari për çështjen kombëtare.

“Përkulem me mall për bacën Ali, kryetarin e Pejës e deputetin e Republikës, Ali Lajçi!” – shkroi ai në librin e zisë.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Për kreun e LDK-së, Ali Lajçi ishte një ndër figurat më emblematike të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

“Kontributi i tij në orët më të rënda për vendin mbeten shtyllë e një Kosove të zhvilluar, progresive dhe demokratike” – tha Abdixhiku.

Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës, Facebook

Ndërkaq, kryetari i AAK-së tha se kujtimi për atdhetarin do të mbetet i paharrueshëm.

Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

I pari i Kuvendit, Konjufca mbajti edhe një fjalim në akademinë përkujtimore. Ai kujtoi kontributin e çmuar të ish-deputetit dhe tha se ai do të mbetet një nga fanarët ndriçues të lëvizjes për çlirim, liri e pavarësi.

“Ai ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave të rëndësishme të vitit 1981, dy herë i burgosur nga Serbia okupatore, deputet, përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës sonë, kryetar i parë i Komunës së Pejës, por mbi të gjitha një veprimtar i një patriot i pashoq” – ka thënë Konjufca.

Pas vdekjes, Lajçi u kujtua edhe nga pasardhësi i tij në pozitë, Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, i cili tha se do ta kujtojë për kontributin e tij në shërbim të qytetit.

Ali Lajçi ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë.

Lajçi që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vjet burg. Pas lirimit më 1991 sërish u burgos në vitin 1993 për organizimin e rezistencës së armatosur.