Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa është pasuria e Arben Vitisë?

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar pasurinë e tij, e cila përfshin një shtëpi, një oborr, një banesë e dy vetura në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.

Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Vitia ka deklaruar 1 mijë e 200 para në bankë, përderisa vitin e kaluar kishte deklaruar mbi 18 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe 142 euro e 56 centë në emër të bashkëshortes jashtëmartesore.

Shtëpia e trashëguar, 250 metra katrorë, kap vlerën 150 mijë euro. Oborri po ashtu i trashëguar është në pronësi të përbashkët dhe ka 5 ari në vlerë 250 mijë euro.

Banesa në pronësi të bashkëshortes së tij është rreth 88 metra katrorë në vlerë prej 98 mijë euro, e blerë në vitin 2022 përmes kredisë, huamarrjes dhe kursimeve.

Sipas deklarimit, vetura e tipit “Mazda”, në pronësi të Vitisë është blerë më 2013 përmes kursimeve dhe huamarrjes dhe kushton 11 mijë euro.

Vetura tjetër e tipit “Suzuki” i takon bashkëshortes së tij, është blerë në vitin 2018 përmes kredisë, huamarrjes dhe kursimeve dhe kushton 12 mijë euro.

Ministri ka deklaruar edhe 15 mijë euro huadhënie, ndërsa 98 mijë euro huamarrje nga bashkëshortja e tij.

Shuma e kredisë së bashkëshortes së tij për blerjen e banesës thuhet se është 86 mijë euro.

Për punën e tij si ministër i Shëndetësisë, ai është paguar rreth 18 mijë euro në vit përmes pagave neto.

Ndërsa, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ai ka deklaruar se nuk paguhet.

Pagat e bashkëshortes së tij gjatë vitit 2023 janë në vlerë mbi 29 mijë euro, ndërsa 4 mijë e 794 euro ka fituar përmes qirasë së banesës.