Pamje nga instalacioni 'Abetare’. Foto: Facebook/ Hajrulla Çeku.

Instalacioni skulpturor i Petrit Halilajt ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork  

Instalacioni “Abetare” i Petrit Halilajt është inauguruar të hënën, më 29.04.2024, në tarracën e Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ekspozita shpërfaq botën imagjinare të fëmijëve të ilustruara në bankat shkollore.

Përmes një komunikate për media, Muzeu Metropolitan i Artit ka bërë të ditur se skulpturat metalike të artistit kosovar janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike.

“Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm” – citohet të ketë thënë Max Hollein, drejtor i Muzeut Metropolitan.

Kurse, Halilaj, sipas komunikatës, është shprehur se shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, përmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e tyre.

“Fillova ta hulumtoj këtë si praktikë më 2015, atëherë ishte e rëndësishme për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i bart në Europë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga i gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET u dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do t’na fluturojnë në një të ardhme më të bukur”- citon komunikata të ketë thënë Halilaj.

Po sipas komunikatës së Muzeut Metropolitan të Artit, kjo është hera e parë që puna e një artisti kosovar ekspozohet në këtë muze.

Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili mori pjesë në hapjen e ekspozitës së Halilajt, në Nju Jork, ka shkruar se përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. “Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në ‘The MET’, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikanë e më gjerë”- ka shkruar ai në Facebook.

Ekspozita “Abetare” e Petrit Halilajt do të qëndrojë e hapur për publikun në terracën e Muzeut Metropolitan deri më 27.10.2024.