
Vrasja e kolegut në vendin e punës, të akuzuarit dalin para Apelit
Albion dhe Berat Strelli dolën sot para Gjykatës së Apelit ku u shqyrtuan ankesat lidhur me dënimin e gjykatës së shkallës së parë për vrasjen e kolegut në vend të punës me ndihmën e armës.
Gjykata e Prishtinës në prill të këtij viti e kishte dënuar Albion Strellin me mbi 25 vite burgim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa të bashkë akuzuarin e tij Berat Strellin e kishte dënuar me 18 muaj burgim për mos lajmërim të veprës penale.
Lënda ka arritur në gjykatën e shkallës së dytë pasi që as Prokuroria e as mbrojtja nuk ishin ndarë të kënaqur me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, gjë për të cilën kishin parashtruar ankesë në apel.
Verdikt ky i përpiluar dhe shpallur nga gjyqtari nga departamenti i krimeve të rënda Naser Foniqi.
Ndërsa kolegji i apelit është në përbërje nga Hashim Çollaku – kryetar, Xhevdet Abazi – gjyqtar referues dhe Zyhdi Haziri si anëtarë i kolegjit.
Në këtë rast Prokuroria ankesën e kishte bazuar në pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Prokuroria me këtë ankesë ka kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të akuzuarit të dënohen sipas kualifikimit të aktakuzës ose që lënda të kthehet në rigjykim.
Megjithatë në seancë nuk prezantoi askush nga ana e Prokurorisë.
Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Albion Strelli ankesën e kishin bazuar në pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale si dhe vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.
Sipas avokates Fehmije Gashi Bytyqi e cila në këtë procedurë përfaqëson Albion Strellën dënimi është shumë i lartë dhe prandaj kërkoi që lënda të kthehej në rigjykim.
Ndërkaq, i akuzuari Berat Strelli me mbrojtësin e tij Haxhi Millaku ankesën e kanë mbështetur në të gjitha bazat ankimore.
Sipas Millakut, aktgjykimi i shkallës së parë ka kontraktika dhe divergjenca në atë shkallë që lënda duhet të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Në seancën e sotme të apelit, fjalën e mori edhe vetë i akuzuari Albion Strella.
I njëjti i kërkoi falje familjes së viktimës të cilët ishin prezent në sallë dhe tha ase nuk e ka bërë veprën me dashje dhe qëllim, por që ka reaguar nga frika.
Në seancë prezent ishin edhe palët e dëmtuara, me ç’rast bashkëshortja e viktimës shprehi se ndihet e dëmtuar nga rasti, kërkon dënimin e të akuzuarve dhe po ashtu ka kërkuar dëmshpërblim.
Aktakuza
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në maj të vitit 2020 në punishten e një qendre tregtare në Graçanicë pas një mosmarrëveshje paraprake mes të akuzuarit Albion Strelli dhe viktimës A. S., i akuzuari e kishte qëlluar dy herë me armë.
Goditjet kanë qenë në pjesën e shpinës dhe në kokë, me ç’rast kjo e fundit kishte qenë vdekjeprurëse për viktimën.
Gjithnjë sipas aktakuzës dy të akuzuarit kishin shkuar në shtëpinë e tyre ku e kishin marrë armën dhe janë kthyer në punishte ku viktima kishte kërkuar falje dhe kishte nisur të vazhdojë punën.
Në atë moment i akuzuari e kishte thirrur në emër edhe kishte shtënë në drejtim të tij, thuhet në aktakuzë.
Fillimisht mbi Albion Strellin ka rënduar akuza e vrasjes së rëndë, por me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjykata e shkallës së parë e kishin bërë ricilësimin e veprës në “vrasje”.
Ndërsa Berat Strelli u dënua për mos raportimin e veprës penale në lidhje me faktin se nuk i ka njoftuar organet kompetente për armën që ka poseduar i akuzuar Albion Strelli.
Edhe për këtë të fundit gjykata e kishte bërë rikualifikimin nga shtytja në vrasje në veprën penale të mos raportimit të veprës penale.