Policia shkruan komunikatën 4 orë pas vrasjes së zyrtarit të saj në Istog

Policisë së Kosovës i janë dashur 4 orë për të shkruar një komunikatë lidhur me incidentin e Istogut, ku mbeti i vrarë një zyrtar i saj dhe një grabitës i dyshuar.

Në një komunikatë të lëshuar para pak minutash, Policia jep detaje për rastin që ka ndodhur rreth orës 15:30.

Policia ka treguar se në këtë kohë, në Istog kishte ndodhur një rast i tentim grabitjes së armatosur në filialin e bankës NLB.

Sipas komunikatës, njësitet e Policisë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’iu përgjigjur rastit.

Dhe, kur shkojnë në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë hasin në të dyshuarin, i cili sipas komunikatës, ishte i armatosur me një armë të gjatë dhe dyshohej se kishte marrë peng dy persona.

Më pas kishte shpërthyer përleshja, gjatë të cilës ishte qëlluar polici Izet Demaj dhe ishte vrarë edhe i dyshuari K.M.

Këto janë detajet e ofruara nga Policia saktësisht katër orë pas ngjarjes.

“Sot 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë peng dy persona”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia sqaron se personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Sipas këtij njoftimi, polici Izet Demaj ishte plagosur rëndë dhe kishte kërkuar ndihmë në Spitalin rajonal ntë Pejës.

“Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Pejës. Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I.D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia sqaron se  të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës”, thuhet në njoftim.

https://kallxo.com/video-18-momenti-i-vrasjes-ne-istog/

www.kallxo.com