Si iku grupi terrorist nga Banjska? Ministri tregon përvojën e tij si ushtar i UÇK-së kur ishin të rrethuar

Duke shpjeguar ngjarje në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator u krye sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka treguar përvojën e tij si ushtar i UÇK-së për të shpjeguar mënyrën se si grupi terrorist ka gjetur korridore për të ikur nga territori i Kosovës.

“Së paku 2-3 herë më ka ndodhur të jem në rrethime të tilla në UÇK, edhe kemi arritur me depërtu, pra nuk është e pamundur depërtimi. Mendoj që suksesi i operacionit është identifikimi dhe paraqitja para publikut vendor e ndërkombëtar, paraqitja e së vërtetës, e që është përfshirja e shtetit serb në atë sulm të grupit terrorist” – tha ministri i Mbrojtjes në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se për herë të parë Kosova ka arritur të argumentojë se në veri të vendit veprojnë grupe kriminale e terroriste.

“Operacioni i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka bërë që të dalë e vërteta, ne për herë të parë kemi arritur që ta argumentojmë që në veri kemi grupe kriminale dhe terroriste” – ka thënë Maqedonci.

Grupi terrorist që vrau rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, sipas Maqedoncit është grup që lidhet me krimin e organizuar e korrupsionin, pra, sipas tij, nuk ka të bëjë me çështjen e serbëve të Kosovës.

“Se ata njerëz i bën bashkë diçka përtej çështjes patriotike, Vlerësoj që ajo ka qenë ndër kalkulimet dhe përceptimet e gabuara” – tha ai.

Ai ka thënë gjithashtu se aksioni i grupit terrorist në Banjskë ka qenë i mbështetur nga shteti serb.

“Sulmi terrorist që ndodhi në Banjskë është aksion i mbështetur nga Serbia. Ka shumë dëshmi që këtë agresion e kanë mbështetur p.sh. llojet e armëve që i janë gjetur këtij grupi” – tha Maqedonci.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.