Futja e armatimit në Banjskë, Ristuccia: Nuk është e lehtë të kontrollohet i gjithë tereni

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Rusticcia, është pyetur se si ka mundur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ai ka thënë se ende janë duke u bërë hetime lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, për shkak të terrenit jo të mirë, nuk është e lehtë të kontrollohen të gjitha terrenet.

“Hetimet janë duke vazhduar për ngjarjen në Banjskë. Është shumë herët të thuhet si janë futur këto armë në Kosovë. Ne jemi prezentë edhe në veri të Kosovës dhe po zbatojmë mandatin. Ne kemi detyrë nga NATO. Kemi një marrëveshje që tregon kush çka bën dhe ne e respektojmë. Ju jetoni këtu, tereni është i komplikuar, nuk është e lehtë të kontrollohen të gjitha terrenet, gjithë vija administrative. Ne bëjmë më të mirën. Ka rrugë të shumta të paligjshme që mund të përdorën”- ka thënë ai.

Rusticcia, teksa ka folur për menaxhimin e krizës në Kosovë ka thënë se situata u bë e ndërlikuar për shkak të një sërë faktorësh.

Ai tha se trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë në Kosovë dhe nga aleatët tjerë.

“KFOR ka rritur prezencën e aktivitetit në veri dhe Këshilli i Atlantikut ka autorizuar dërgimin e forcave shtesë. Britania është duke dislokuar trupa shtesë.  Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatët tjerë. Përfshirë edhe Rumaninë” – tha ai.

Angelo Michele Ristuccia përfundoi mandatin e tij 1-vjeçar, për të cilin tha se ka qenë mjaft i vështirë. Ai përmendi krizat e ndodhura në veri dhe sulmin e 29 majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ristuccia ishte komandanti i 11-të italian nga 27 komandantë gjithsej që kishte KFOR-i që nga fillimi i misionit në vitin 1999.