Komandanti i KFOR-it: Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë në Kosovë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Rusticcia, teksa ka folur për menaxhimin e krizës në Kosovë ka thënë se situata u bë e ndërlikuar për shkak të një serë faktorësh.

Ai tha se trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë në Kosovë dhe nga aleatët tjerë.

“KFOR ka rritur prezencën e aktivitetit në veri dhe Këshilli i Atlantikut ka autorizuar dërgimin e forcave shtesë. Britania është duke dislokuar trupa shtesë.  Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatët tjerë. Përfshirë edhe Rumaninë” – tha ai.

Për logot e KFOR-it që u gjetën pas sulmit në Banjskë e që ishin përdorur nga sulmuesit serbë, Ristuccia ka deklaruar se KFOR-i po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme.

“Po punohet për të kuptuar se çfarë lloj pajisjeje janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, e kemi listën natyrisht sepse bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës. E dimë se kanë qenë edhe disa logo, ende janë duke u zhvilluar hetimet dhe ne kemi ndërmarrë si KFOR të gjitha masat duhura për të zvogëluar rrezikun e atyre që ne i quajmë “sulm i flamujve të rremë”” – tha ai.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se KFOR është reaguesi i tretë.

“Sa i përket Policisë së Kosovës, zbatimi i ligjit dhe sundimi i ligjit nuk janë në mandatin tonë, në këtë rast ekziston një shtresë shumë e qartë e përgjegjësive, si e para, e dyta dhe treta, dhe ne jemi ata që përgjigjemi të tretët”- tha ai.

Angelo Michele Ristuccia përfundoi mandatin e tij 1-vjeçar, për të cilin tha se ka qenë mjaft i vështirë. Ai përmendi krizat e ndodhura në veri dhe sulmin e 29 majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ristuccia ishte komandati i 11-të italian nga 27 komandantë gjithsej që kishte KFOR-i që nga fillimi i misionit në vitin 1999.