Euractiv: BE ka hartuar masa kundër Serbisë

Bashkimit Europian po i mbaron durimi me Serbinë dhe ka hartuar masa që do të ndikojnë politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e anëtarësimit të saj në BE, shkruan sot Euroactiv.

Ndërsa, thuhet se ende po dalin prova nga sulmi terrorist i 24 shtatorit, duke përmendur edhe përfshirjen e djalit të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Që nga sulmi terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, pak më shumë se dy javë më parë, presioni është rritur nga liderët rajonalë, anëtarët e Parlamentit Europian dhe Prishtina për të zbatuar masat ndaj Serbisë.

Artikulli tutje citon hulumtimin Balkan Insight, që zbuloi se armët e përdorura në sulm ishin prodhuar në Serbi në vitin 2022, ndërsa disa fishekë mortajash dhe granata ishin riparuar në qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në 2018 dhe 2021.

Analiza e simboleve të identifikuara nga BIRN në armët dhe municionin e konfiskuar nga policia e Kosovës, duke përfshirë predha mortajash dhe granatahedhëse, nuk vërteton se si ato përfunduan në duart e grupit të armatosur, i cili drejtohej nga Milan Radoiçiq, në atë kohë nënkryetar i partisë politike që përfaqëson serbët e Kosovës, Lista Serbe, dhe i lidhur ngushtë me partinë në pushtet në Serbi, Partia Progresive.

Por ajo sugjeron se armët ose janë vjedhur nga depot shtetërore, janë shitur te një tregtar privat armësh i cili i ka shitur ose ia ka dhënë Radoiçiqit, ose janë dorëzuar nga shteti.

Dje, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja ndaj palëve.

“Duhet të hetohet të plotësisht që të kemi këtë hetim të përfunduar, së shpejti, kështu që të kemi figurën e qartë se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, kush ka marrë pjesë, kush e ka orkestruar dhe bazuar në këtë BE-ja do të vendosë cilat do të jenë hapat e radhës prej nesh, ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, për dialogun dhe rajonin”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se presin nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe pa kushte në hetimin e sulmit terrorist.

Sulmi në Banjskë, BE: Po presim përfundim të hetimeve për të vendosur hapat e radhës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe sanksionohet ndërkombëtarisht për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, pasi në të kundërt sipas tij, shteti serb do ta përsërisë krimin.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.