Kërkohet ekspertizë e re e psikiatrisë në gjykimin e Esat Bajramit për vrasjen e 30 vjeçarit

Në gjykimin ndaj Esat Bajramit, i cili po gjykohet për vrasje, u dëgjua eksperti mjeko-ligjor Flamur Dylhasi dhe hetuesi Edmond Jakupaj.

Esat Bajrami po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës, se më 1 nëntor 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, ka privuar nga jeta Arlind Hanën.

Eksperti mjeko-ligjor Flamur Dylhasi, gjatë dëshmisë së tij tha se autopsia e të ndjerit Arlind Hana është bërë në vitin 2017, ku vdekja ka qenë me dhunë e shkaktuar nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e shqyerjes së organeve vitale- mëlçisë, shpretkës dhe plagëve të tjera të marrura nga arma e zjarrit.

“Ne si ekspert kemi konstatuar gjithsej gjashtë plagë, prej të cilave dy prej tyre kanë qenë vdekjeprurëse. Në këto plagë, 5 predha kanë qenë tejshkuese dhe 1 shkuese, të shkaktuara nga arma e zjarrit”- deklaroj eksperti mjeko-ligjor.

“Një plagë ka qenë në regjionin e djathtë të barkut, tejshkuese që do të thotë se ka qenë plagë ku predha nga arma e zjarrit hyn dhe del nga trupi, e po ashtu ka pasur edhe një plagë në pjesën e kraharorit dhe në këmbën e djathtë, ndërsa plagë jodepërtuese ka qenë në dorën e djathtë”, tha eksperti mjeko-ligjor.

Prokurori Agron Matjani, pyeti ekspertin se në çfarë pozite ka qenë i ndjeri kur i ka marr këto plagë?

“Pasi që plagët kanë qenë identike, s’mund të jap një përgjigje të saktë”, u përgjigj eksperti Dylhasi.

Në këtë rast bëhet e ditur se motivi i vrasjes ishte motra e mitur e të akuzuarit Esat Bajrami.

Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes, ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

 

https://kallxo.com/prokuroria-mosmarrveshja-per-motren-e-mitur-i-parapriu-vrasjes-se-30-vjecarit-ne-gjakove/

Ndërsa polici hetues, Edmond Jakupaj tha se në inçizimet e bëra përmes CD-së, vërehet qartë lëvizja e vetme dhe e përsëritshme e të akuzuarit Esat Bajrami, tek këndi i qebaptores.

“Gjatë analizës së video-inçizimeve kemi vërejtur personin e dyshuar, i cili vërehet koha se kur hyn brenda mbyll derën dhe qëndron përafërsisht rreth një ore brenda derisa të ndodh ngjarja dhe pastaj del duke vrapuar”, tha hetuesi Edmond Jakupaj.

Hetuesi Jakupaj, shtoj se gjatë kohës sa ka qenë brenda në qebaptore i akuzuari, ka pasur klientë të tjerë të cilët kanë hyrë dhe dalur, mirëpo në video sipas kamerave nuk kemi mundur të vërejmë armën e të akuzuarit.

Në një gjykim të këtij rasti të mbajtur në Tetor të këtij viti, kishte dëshmuar edhe motra e të akuzuarit, e cila kishte rrëfyer se ishte ngacmuar vazhdimisht nga tani i ndjeri Arlind Hana.

 

https://kallxo.com/motra-e-te-akuzuarit-per-vrasje-thote-se-eshte-ngacmuar-vazhdimisht-nga-i-ndjeri/

Një muaj më pas, kishin dëshmuar edhe eksperti i psikiatrisë Fahri Dervinja dhe eksperti i balistikës Tefik Hoti, të cilët kanë dhënë versionet e tyre për këtë rast, duke rrëfyer gjendjen shpirtërore të të akuzuarit në vrasjen e Nëntorit të kaluar në Gjakovë.

 

https://kallxo.com/eksperti-rrefen-gjendjen-shpirterore-te-te-akuzuarit-esat-bajrami-per-vrasjen-arlind-hanes/

Ndërkaq sot përfaqësuesja e palës së dëmtuar avokatja Zahide Gjonaj, i propozoj gjykatës që të bëhet një ekspertizë e re psikiatrike, me arsyetimin se ekspertiza e ekspertit të psikiatrisë Fahri Dervinja, është e pabazuar dhe jo shkencore.

Këtë propozim të palës së dëmtuar, nuk e kundërshtoj askush e as mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrec Dodaj.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, duke e aprovuar propozimin e avokates Zahide Gjonaj, lëshoj urdhëresë për Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, në mënyrë që ekspertiza e re të bëhet nga një grup tjetër i ekspertëve dhe seancën e sotshme e ndërpreu për një kohë të pacaktuar, derisa të kryhet ekspertiza e re.

Gjykimin e sotëm e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje qe kishte i ndjeri me të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Pasi që i pandehuri kishte mbetur vetëm me të ndjerin, kishte nxjerrë revolen e tipit “CZ” dhe kishte qëlluar tre herë tani të ndjerin, të cilit I kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria dyshon se i akuzuari Esat Bajrami, me veprimet e tija ka kryer veprën penale të vrasjes dhe veprën penale të mbajtjes në kontroll, pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

 

https://kallxo.com/prokuroria-mosmarrveshja-per-motren-e-mitur-i-parapriu-vrasjes-se-30-vjecarit-ne-gjakove/

 

.