Dhurata Hoxha. Foto: MD

Hoxha: Rekomandimi për liberalizimin e vizave para pushimit të verës

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha ka njoftuar se rekomandimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën do të bëhet para pushimeve të verës.

Ajo ka thënë se të gjithë janë të interesuar që rekomandimi për liberalizimin e vizave të kryhet para zgjedhjeve që do të mbahen në Parlamentin Europian.

“Rekomandimi pritet të dalë në ditët e fundit të qershorit apo ditët e para të korrikut, rekomandimi i Komisionit do të jetë para pushimit të verës, pastaj vjen edhe miratimi. Nëse këto hapa shkojnë kështu pastaj do të filloj dialogu pas pushimeve, në shtator. Asnjëherë nuk është përmendur shtyrja rekomandimit për shkak të zgjedhjeve në Parlament, të gjitha janë të interesuar që ky proces të përfundoj para zgjedhjeve”, ka thënë ministrja Hoxha në konferencën për shtyp.

Më tej Hoxha ka thënë se janë optimistë që procesi i liberalizimit do të përfundoj deri në fund të vitit 2018.

Ajo ka njoftuar se ka pasur takime në Bruksel për të siguruar liberalizimin e vizave.

“Kam pasur takim me sekretarin e shtetit të Belgjikës për migracion dhe azil, e njoftova që numri i azilkërkuesve ka rënë dukshëm dhe që qytetarët e Kosovës nuk do ta keqpërdorin liberalizimin e vizave”, ka theksuar Hoxha.

Ministrja e Integrimit ka shtuar se në vazhdën e takimeve për liberalizimin e vizave ajo është takuar edhe me disa eurodeputetë.

“I njoftova se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, 95 kriteret për liberalizimin e vizave, i sigurova ata që edhe pas liberalizimit të vizave Kosova do të vazhdoj me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka potencuar Hoxha.

Hoxha ka njoftuar se janë siguruar që eurodeputetët do të votojnë ‘për’ me shumicë absolute.

“Ka pasur deputetë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që e kanë pranuar liberalizimin e vizave. Do të ketë transparencë të plotë në këtë proces”, ka thënë ajo.

Sa i përket implementimit të MSA-së nga institucionet, ministrja Hoxha ka thënë se secilit nga institucionet personalisht u ka dërguar letër me detyrat të cilat ata i kanë të papërfunduara por edhe detyrat të cilat ata i presin në tre-mujorin e ardhshëm.

“Edhe me MSA e shohim një trend pozitiv duke krahasuar vitin 2016 ku kemi pasur një implementim apo zbatim të përgjithshëm prej 58 për qind dhe në vitin 2017 kemi arritur zbatim prej 63.6 për qind, por edhe kjo nuk mjafton dhe ne po synojmë që në vitin 2019 të kemi një trend edhe më të lartë të zbatimit të MSA-së”, ka vazhduar Hoxha.

Po ashtu ajo ka thënë se po ashtu i ka informuar institucionet se kush është duke i zbatuar apo nuk është duke i zbatuar detyrat sa i përket MSA-së.

“U kemi dërguar letra secilit nga institucionet që kanë përgjegjësi, i kemi ndarë pra përgjegjësitë që mos të ikë askush nga përgjegjësia dhe këtë e kemi bërë në mënyrë zyrtare, ku i kemi listuar gjërat që duhet të bëhen në afatet e ardhshme”, ka thënë ajo.

Në fund Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha ka thënë se është duke diskutuar me ministrat e tjerë nëse do t’i marrin pagat me rritje, vendim të cilin e kishte marrë kryeministri Ramush Haradinaj, e të cilin Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur si kushtetues.

“Sa i përket çështjes së pagave, patjetër që këtë jemi duke e diskutuar me ministrat dhe do të marrim një vendim në lidhje me këtë dhe do t’ju informojmë”, ka theksuar Hoxha.