Rruga “Berati’ pas përfundimit të punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit. Foto: QRTK-Prizren.

Punime që po shkatërrojnë rrugët historike në zonën e mbrojtur të Prizrenit

Punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Rrugën “Berati” në Qendrën Historike të Prizrenit janë bërë pa respektuar kushtet e përshkruara në pëlqimin e lëshuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

Komuna e Prizrenit është duke implementuar projektin “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në zonën e Nënkalasë, Komuna e Prizrenit”- (projekt i implementuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit), ndërsa pëlqimi nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRKTP) për këto punime në këtë zonë është dhënë qysh në vitin 2021.

Por, zbatimi i punimeve në terren është bërë pa respektuar rekomandimin e QRTK-Prizren që pas përfundimit të punimeve të rikthehet gjendja fillestare (e mëparshme) e rrugëve në tërësi, që nënkupton edhe për Rrugën “Berati”.

Rruga “Berati” është e shtruar me gurë (kubëza) lumore, ndërsa punëkryesi i projektit, “K-ING” SHPK, për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, pas përfundimit të punimeve rrugën e ka shtruar me beton.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (ITK) i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i njoftuar nga QRTKP lidhur me mosrespektim të kushteve të lëshuara nga pëlqimi nga ana e kompanisë punëkryese në Rrugën “Berati”, ka paralajmëruar masa nëse gjendja punimeve nuk përmbyllet sipas kushteve të pëlqimit të dhënë nga QRTKP, më 25.11.2021.

Kompania punëkryese, “K-ING” SHPK dhe Komuna e Prizrenin kanë pranuar vërejtjet e dhëna nga institucionet e trashëgimisë kulturore duke premtuar edhe rregullimin e rrugës sipas kushteve të dhëna nga QRTKP-ja. Sipas tyre, projekti për rregullimin e ujësjellësit ende nuk është mbyllur dhe vërejtjet e QRTK-Prizren do të merren parasysh.

Gjendja pas inspektimeve

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS, në një përgjigje për KALLXO.com thotë se pas njoftimit nga QRTK në Prizren, për punimet në Zonën e Mbrojtur në Prizren janë kryer tre inspektime ku është kërkuar nga palët që të respektojnë projektin e miratuar nga QRTK-ja.

“Pasi përkundër dy procesverbaleve të lëshuara, pala përsëri nuk i ka përfillë në plotni urdhrat e inspektorëve, ndaj subjektit juridik që po kryente punimet është iniciuar kërkesë për fillim të procedurës kundërvajtëse më datë 27.12.2023”- thuhet në përgjigjen e ITK-së. Po sipas ITK-së, edhe për Rrugën ‘Berati” janë paralajmëruar palët për masa nëse rruga nuk kthehet në gjendjen fillestare, sipas rekomandimeve të QRTK-së.

“Po ashtu për rrugën Berati në të cilën në vend të gurëve lumorë është mbushur me beton është lëshuar vendim më datë 29.12.2023 ku është urdhëruar operatori që po kryente punimet dhe DFSHP- Komuna e Prizrenit që të mënjanojë parregullsitë gjatë zbatimit të projektit në afatin prej 15 ditësh pas pranimit të vendimit.  Në rast të mosrespektimit vullnetarë të këtij vendimi, në koordinim edhe me inspektorët komunal, këta të fundit do të bëjnë zbatimin e këtij vendimi”- thuhet në përgjigjen e ITK-së, për KALLXO.com.

Përgjigja nga komuna dhe punërkyesi

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Prizrenit ka thënë se punimet në Rrugën “Berati” janë bërë në kuadër të projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në zonën e Nënkalasë dhe kontrata për këtë projekt ende nuk është mbyllur.

Komuna ka thënë se ka pranuar vërejtjet nga QRTK për Rrugën “Marin Barleti” dhe “Berati’”. Për të parën sipas komunës ato janë tejkaluar. Ndërsa, thotë se njëjtë do të përfundohen edhe për të dytën.

“Në Rrugën ‘Berati’ problemi qëndron në atë se rruga ka qenë me kalldrëm – gurë të lumit. Operatori nuk ka respektuar projektin dhe njëkohësisht edhe pëlqimin me të vetmen arsye sepse punimet në atë rrugë janë realizuar në stinën e dimrit. Me qëllim që të kalohet kjo sezonë, i njëjti ka shtruar beton në vend që të kthejë gurët. Pas kësaj IT-ja ka dërguar një vendim në drejtim të operatorit ekonomik ‘K-ING’ si dhe DSHP –Komuna e Prizrenit, ku jepet një afati prej 15 ditëve për të realizuar punimet. Pas kësaj shkrese kemi njoftuar OE, nga i cili është konfirmuar se shumë shpejtë do të rregullohet kjo çështje e cila gjithësesi varet edhe nga kushtet atmosferike”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për KALLXO.com.

Ndërkaq, nga “K-ING” kanë thënë se kanë respektuar kushtet e pëlqimit të dhëna nga QRTK-ja. Nga kjo kompani kanë thënë se janë njoftuar me vërejtjet e QRTK-së dhe se i kanë dhënë sqarimet e nevojshme. “Ato (rekomandimet) janë respektuar, mirëpo duhet me ditë që autoritet kontraktues është KK Prizren, dhe në bazë të kërkesave tjera duhet kalkuluar që ka impakt financiar, jo çdo herë ka shtesë financiare- kërkesa, mirëpo këtë rast kemi. Jemi njoftuar (me vërejtjet e QRTK-së) dhe kemi dhënë sqarimet e nevojshme për të gjitha palët e interesit”- thuhet në përgjigjen e kompanisë për KALLXO.com.

Nga kjo kompani kanë thënë se do të rregullojnë dhe kompletojnë punimet në Rrugën “Berati” sipas rekomandimeve të dhëna (QRTK).

“Është normale nëse jepet një vërejtje e duhet përmirësim, nëse një pjesë të takon me e rregullu deri sa jemi në kohën e garancacionit të punimeve, po të njëjtat ende s’kanë përfunduar, për momentin është kohë e ftohtë sipas parashikimeve meteorologjike dhe po e besojmë që sa të jepet mundësia e punimeve të caktuara ato do të rregullohen dhe kompletohen”- thuhet në përgjigjen e “K-ING” SHPK për KALLXO.com.

Rruga “Berati’ pas përfundimit të punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit. Foto: QRTK-Prizren.
Rruga “Berati’ pas përfundimit të punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit. Foto: QRTK-Prizren.
Rruga “Berati’ pas përfundimit të punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit. Foto: QRTK-Prizren.
Rruga “Berati’ pas përfundimit të punimeve për rehabilitimin e ujësjellësit. Foto: QRTK-Prizren.