A po keqpërdoren vizat turistike, flet ambasadori gjerman në Kosovë - VIDEO

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, në një intervistë për emisionin, “Kallxo Përnime”, ka folur rreth liberalizimit të vizave që hyri në fuqi nga 01.01.2024, vizave të punës dhe atyre për bashkim familjar.

Rohde tha se zyrtarët e shtetit të tij asnjëherë nuk janë frikësuar që kosovarët do ta keqpërdorin liberalizimin.

“Mendoj që nga ana jonë kurrë nuk ka qenë frikë sepse liberalizimi i vizave ka të bëjë me vizat turistike, dhe natyrisht ka disa njerëz edhe në vendet tjera ku keni liberalizim të vizave që qëndrojnë për qëllime të tjera dhe punojnë ilegalisht por ku nuk është një fenomen shumë i shprehur dhe do të thosha që 90% e njerëzve shkojnë për vizitë” – tha Rohde.

Ai shtoi se Ambasada gjermane është duke lëshuar vizat për bashkim familjar e viza pune gjithashtu.

“Gjermania është në fazën e liberalizimit të ligjeve të saj të imigrimit jo vetëm për Kosovën por për tërë botën sepse na duhen punëtorë të kualifikuar dhe kjo do të rris mundësitë për qytetarët në Ballkanin perëndimor përfshirë Kosovën që të emigrojnë dhe mendoj që numrat do të rriten ata tanimë janë të lartë sepse Gjermania tradicionalisht është një shtet që është i hapur për imigrantët për shtetet e Ballkanit perëndimor, posaçërisht për Kosovën”- tha Rohde.

Ai tha gjithashtu se para 3 viteve kishte listë të gjatë të pritjeve për rastet e bashkimeve familjare dhe se kjo ambasadë kishte angazhuar staf shtesë dhe se periudhat e pritjeve janë zvogëluar në masë të madhe.

“Para 3 viteve periudha e pritjes ishte 18 muaj për termin ndërsa tani kjo periudhë është shumë e shkurtër, është çështje javësh. Prandaj, kjo është zgjidhur porse numrat po rriten prapë sepse jo vetëm Gjermania por edhe shtetet tjera kanë nevojë për njerëz në hoteleri, në kujdesin afatgjatë, shoferë, nga e tërë bota, dhe kemi liberalizuar mënyrën lidhur me ekuivalencën dhe njohjen e profesioneve për shembull një hidraulik nga Kosova dhe një hidraulik nga Gjermania.”

“Tani do kemi një sistem sikurse shtetet tradicionale që kanë pranuar emigrantë, ku do të merrni pikë, do keni 3 pikë për moshën, për gjuhën, për aftësitë, dhe duhet të shohim se si kjo do të funksionojë por se gjëja kryesore për mua është se si liberalizimi i vizave iu bën njerëzve më të lehtë krijimin e raporteve, qoftë shkuarjen në kampionatin evropian të futbollit në Gjermani këtë verë, apo për biznes, apo për njerëzit e mediave ku vetëm mund të hipin në aeroplan dhe të takohen” – ka shtuar Rohde.

Sa gjatë duhet të pritet për vizat e punës?

“Kjo varet nga lloji i vizës së punës, ne kemi një sistem ashtu që për tërë shtetet e Ballkanit perëndimor për personat e pakualifikuar, ata që nuk e flasin gjuhën, çdo muaj organizohet lotari dhe ekziston një kërkesë shumë e madhe në lotari por nëse nuk e keni fatin, kjo është sikurse kur aplikoni për Green Card në SHBA. Por për personat e kualifikuar procedura është goxha e shpejtë por se kjo do të liberalizohet edhe më tej por mos më pyesni për detaje”, – ka sqaruar tutje ai.

Trendi i ikjes së mjekëve kosovar në Gjermani

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde tha se ka emigrim në të gjitha shtetet duke shtuar se edhe doktorët gjerman emigrojnë në Amerikën Veriore apo Norvegji.

“Nuk është gjithçka parajsë” – thotë ambasadori, duke shtuar se shumë doktorë gjerman punojnë në Zvicër sepse pagat atje janë më të larta.

“Ka emigrim dhe mjeku i nënës sime quhet Kurti dhe ai është kosovar. Ne jetojmë në një epokë të mobilitetit të lartë dhe siç thashë në një shoqëri demokratike ku lëvizja është e lirë dhe mendoj që është me rëndësi që shtetet nga ku largohen njerëzit duhet t’i përmirësojnë kushtet dhe kjo është shumë dimensionale, nuk janë vetëm pagat por edhe sigurimi shëndetësor, pensionet, sistemi arsimor, dhe kur flas me njerëzit që emigrojnë ata e bëjnë këtë jo vetëm për shkak të pagës por edhe për të ardhmen, p.sh. për atë se si do të jetë sistemi arsimor për fëmijët e tyre, dhe prandaj siç thashë ekzistojnë shumë faktorë”- tha ai.