Ministri Sveçla: Raportimet për ikje masive të qytetarëve janë të pavërteta

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa ka publikuar disa të dhëna për hyrjet dhe daljet e autobusëve për muajin janar të vitit 2023 dhe 2024, ai i ka quajtur “të pavërteta” raportimet se ka ikje masive të qytetarëve nga data 1 janar e këtij viti.

Sipas ministrit Sveçla, këto raportime me ose padashje krijojnë panikë te qytetarët dhe rëndom përdoren pastaj për qëllime politike e dashakeqe kundër Kosovës nga Serbia.

Në bazë të të dhënave që Sveçla i ka publikuar, shihet se për periudhën 1 janar deri 19 janar të vitit 2023 ka pasur 3,511 hyrje të autobusëve dhe 3,731 dalje të autobusëve nga Kosova apo 5%.

Kurse, për periudhën 1 janar deri 19 janar të vitit 2024, janë regjistruar 3,687 hyrje dhe 2,408 dalje të autobusëve apo -35%.

“Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njëjtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3,511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar” – ka shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.

Sveçla ka vlerësuar se procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme për çka ai u është mirënjohës stafit të Aeroportit, zyrtarëve policorë atje si dhe zyrtarëve policorë kudo në pikat kufitare të Kosovës.

Në anën tjetër, ka pasur edhe një reagim nga Stacioni i autobusëve Prishtinë, të cilët po ashtu e kanë demantuar një lajm ku thonë se flitej për një numër të konsiderueshëm të nisjeve ndërkombëtare ditore.

“Stacioni i autobusëve demanton lajmin e publikuar që 380-400 nisje ndërkombëtare ditore janë realizuar nga SAP,  ky numër i nisjeve ditore përfshin nisjet ndërurbane dhe ato ndërkombëtare” – kanë shkruar nga SAP, në Facebook.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023, nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.