Foto: MPJD
Gërvalla takohet me ambasadoren e Izraelit për të koordinuar finalizimin e procesit të heqjes së vizave
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se është takuar me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, për të koordinuar hapat për finalizimin e procesit të heqjes së vizave.
Në këtë njoftim thuhet se përveç përfundimit të procesit të heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës nga Izraeli, në këtë takim është diskutuar edhe situata në Izrael dhe në Lindjen e Mesme si dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ky takim vjen disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, në të cilin u njoftua se Qeveria izraelite ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen. Fillimisht në mesin e këtyre vendeve nuk bënte pjesë Spanja. Disa ditë më vonë u dha lajmi që edhe Spanja njohu pasaportën e Kosovës dhe qytetarët mund të udhëtonin edhe drejt vendit iberik që është njëri nga vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të Zonës Schengen.
Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe nga data 22 shkurt 2024.
Derisa edhe Mbretëria e Bashkuar hoqi vizat për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.