Fakte të Shpejta për Prishtinën

Debati i mbajtur në “Jeta në Komunë” me kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti, ishte hera e parë që ai dhe asamblistët opozitarë në komunën e Prishtinës nga LDK dhe PDK po qëndronin në të njëjtën sallë nga fillim deri në fund të një ‘seance’.

Asambleja e Prishtinës mbetet e bllokuar për shkak se Ahmeti dhe partia e tij Vetëvendosje nuk e kanë shumicën në këtë organ komunal për t’i implementuar idetë e tyre për kryeqytetin. Shumë seanca të thirrura mujave të fundit kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Kësisoj, Prishtina po i vuan grindjet politike ndërmjet palëve të cilat, hiq gazin lotsjellës brenda sallave, duken kopje e zhvillimeve në nivelin qendror.

Dy vjet më parë, kur bënte fushatë dhe merrte pjesë në debate parazgjedhore, Shpend Ahmeti bënte premtime për Prishtinën.

Ja disa fakte të shpejta për Prishtinën nën qeverisjen e Shpend Ahmetit:

1. Lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në qeverisje pa bërë koalicion me asnjë subjekt politik dhe në asamble. Ajo i ka 10 asamblistë nga 51 sa janë në asamble.

2. Kryetari Ahmeti kishte premtuar 24 orë ujë të pijshëm brenda 24 muajve përndryshe do të jepte dorëheqje. Ky premtim nuk është realizuar.

3. Ende nuk janë blerë 50 autobusët e premtuar nga kryetari i Komunës e Prishtinës. Komuna dhe Ministria e Financave akuzojnë njëra- tjetrën për vonesën e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

4. Pensionistët nuk paguajnë për linjën 3 dhe 4 të autobusëve urbanë. Ndërsa paguajnë në linjat tjera.

5. Çlirimi i trotuareve është bërë vetëm në disa lagje të qendrës së Prishtinës duke u vendosur shtylla anti-parking, ndërsa në lagje tjera ka makina të vendosura në trotuare.

6. Komuna e Prishtinës, në gjashtë lagje ka filluar ta matë ndotjen e ajrit në kohë reale. Rezultatet janë alarmante nga ndotja e madhe e ajrit.

7. Ne dy vite mandat janë rregulluar vetëm 13 hapësira gjelbëruese në 13 lokacione.

8. Kryetari Shpend Ahmeti ka premtuar hapjen e çerdheve në çdo lagje të kryeqytetit, por deri me tani i ka funksionalizuar vetëm tri në qytetin i cili ka mbi 30 lagje.

9. Shujta falas me kifle është premtim i realizuar nga Ahmeti, ku përfitues janë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

10. Prishtina nuk ka zyre për informim të turistëve.

11. Nuk është ndërtuar asnjë stadium, asnjë sallë e re kulturore dhe asnjë bazen.

12. Më 3 nëntor 2015 është themeluar tregu mobil për fermerët në Prishtinë ku lokacioni i ndryshohet vazhdimisht.

13. Nuk është shpenzuar buxheti i vitit 2014. Edhepse në vitin 2014 komuna e Prishtinës ka mundur ta shpenzoj buxhetin pa u penguar nga Kuvendi Komunal, sipas auditorit komuna e ka ekzekutuar vetëm 69% të buxhetit dhe nuk ka arritur t’i shpenzojë gati 20 milion euro apo 31% të buxhetit.

14. Nuk është bërë stadiumi në Hajvali. Prej investimeve në infrastrukturë sportive është kontraktuar vetëm Stadiumi në Hajvali në vlerë prej 96 mijë e 954 euro. Ndërtimi i Stadiumit në Hajvali, nuk është bërë dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që ka ndarë 80 mijë euro për këtë projekt i ka tërhequr paratë për shkak se komuna nuk i ka menaxhuar në mënyrë aktive kërkesat për prokurim sipas planit kohor të caktuar nga Marrëveshja për financim.

15. Nuk është funksionalizuar Biblioteka e qytetit e nisur qysh para disa vjetëve.

16. Nuk kanë filluar punimet për pishinën olimpike.

17. Nuk janë ndërmarrë masa për përmirësim të ajrit në Prishtinë – më së paku kanë mundur të inkurajohen përdoruesit e biçikletave në trotuaret e ndërtuara këtë mandat por në asnjë tortuar të ndërtuar në këtë mandat nga Shpend Ahmeti nuk janë paraparë shtigje për çiklistët.

18. Edhepse ka dyfish më shumë banorë se Gjakova, në Prishtinë investitorët kanë punësuar më pak punëtorë se Gjakova në mandatin e fundit të këtyre kryetarëve.

19. Nuk ka filluar ndërtimi i muzeut shkencor të fëmijëve edhepse ka qenë në plan të fillojë.

20. Sipas kryetarit Ahmeti, nuk është zgjedhur në Bordin e ujësjellësit regjional përfaqësuesi i Prishtinës nga qeveria, por janë marrë emra rezervë nga komunat e Podujevës dhe Lipjanit.

http://kallxo.com/kryeqyteti-ne-sedren-e-shpend-ahmetit-sami-hamitit-e-lirak-celajt/