Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vetëvendosje në Prishtinë akuzon Komunën e Prishtinës për kurdisje të një tenderi në vlerë 10 milionë euro
Lëvizja Vetëvendosje qendra në Prishtinë ka akuzuar Komunën e Prishtinës për kurdisjen e një tenderi me vlerë të parashikuar prej 10 milionë euro.
Përmes një konference për media të mbajtur sot me 28.04.2024 nga Arben Brovina nga kjo parti, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka kurdisur tenderin me titull “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në uljen e shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës”, që sipas Brovinës, ka të bëjë me ndriqimin publik smart në kryeqytet.
Brovina para gazetarëve tha se kriteret e vendosura në dosjen e tenderit kanë ulur konkurrencën dhe nuk kanë qenë kritere që ndërlidhen me tenderin.
“Kriteret e ofruara nuk ofrojnë aspak mundësinë e konkurrencës dhe të pjesëmarrjes së më shumë operatorëve, duke përdorur shumë kërkesa dhe kritere të cilat nuk ndërlidhen me këtë aktivitet të prokurimit” – ka thënë Brovina.
Ai u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë dhe mediave që të hetojnë këtë tender të Komunës së Prishtinës.
“Sipas analizave që i kemi bërë deri tash, kemi dyshime të bazuara që bëhet fjalë për një tender të orkestruar dhe shkon në dëm të buxhetit të Prishtinës, e në llogari të individëve të caktuar. Prandaj, po i bëj thirrje mediave dhe organeve të hetuesisë dhe prokurorisë, që të hetojnë këtë thirrje dhe të bëjnë parandalimin e abuzimit të radhës me kontrata të cilat janë me vlera të konsiderueshme prej 10 milionë eurove” – ka thënë ndër të tjera Brovina.
Sipas tij, tenderi është hapur me 5 prill 2024 dhe afati i dorëzimit të ofertave është deri më 30 prill 2024.