Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Drejt formimit një program i ri i studimeve master në UP
Qendra Burimore për Drejtësi Tranzicionale e Universitetit të Prishtinës dhe Community Building Mitrovica (CBM) kanë lansuar sot projektin “Mbështetje për Drejtësinë Tranzicionale”.
Ky program mundësohet nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë dhe ka për qëllim forcimin e rolit të Universitetit të Prishtinës në ndërtimin e paqes dhe pajtimin përmes edukimit.
Gjithashtu ky projekt synon të rrisë bashkëpunimin në mes të Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë civile në Kosovë në fushat e drejtësisë tranzicionale, të drejtave të njeriut dhe ndërtimin e paqes.
Në eventin e sotëm studentëve dhe të ftuarve u janë drejtuar Marjan Dema, rektori i UP-së, ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ambasadori i Norvegjisë Strand Sjaastadsi dhe dekani i Fakultetit Juridik të UP-së, Haxhi Gashi.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha që ky është një hap shumë i mirë drejt ndryshimit.
“Ky projekt është një hap më tepër për ndryshim në Universitetin e Prishtinës”, theksoi rektori.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për përkrahjen e projektit nga ana e donatorëve dhe bashkëpunëtorëve të projektit.
Gjatë fjalës së saj, ish-presidentja Jahjaga foli mbi dhunën seksuale gjatë luftës dhe përmendi edhe ngjarje të tjera që kanë ndodhur gjatë luftës.
Ish-presidentja u tha studentëve se sot kanë mundësinë që sistemin e edukimit që, sipas saj, u bë cak i sulmeve, ta shndërrojnë në një mjet shumë të fuqishëm për ta vendosur dhe për ta rivendosur një paqe të qëndrueshme.
Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë, Strand Sjaastad, tha se ky proces po merr formë duke u institucionalizuar dhe shtoi që edhe institucionet e tjera shtetërore duhet të merren me çështjen e drejtësisë tranzicionale dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë projekt.
Kurse në sesionin e dytë, drejtoresha e “Community Building Mitrovica”, Afërdita Sylaj-Shehu shpalosi aktivitetet të cilat organizata e saj implementon dhe ka implementuar dhe shprehu kënaqësinë që ky projekt do të kurorëzohet me formimin e programit master për drejtësinë tranzicionale dhe ndërtimin e paqes.