Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - Foto: KALLXO.com

Jahjaga e habitur me ftesën për Daçiqin në konferencën për dhunën seksuale

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar lidhur me prezencën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Londër.

Jahjaga është shprehur e habitur se si ministri serb Daçiq ka siguruar ftesë në këtë konferencë.

“E habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë”- ka shkruar Jahjaga në facebook.

Jahjaga ka thënë se ‘kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm’.

“A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare”, ka shkruar ajo.

Tutje Jahjaga ka theksuar se viktimat e dhunës seksuale shpresojnë të ballafaqohen me dhunuesit e tyre në gjykatë dhe jo në konferenca.

“Viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt”, ka theksuar ajo.

Për praninë e Daçiq në këtë konferencë ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo dje refuzoi të përgjigjet në pyetjen për viktimat e dhunës seksuale, pasi që sipas saj në këtë konferencë është edhe Ivica Daçiq, për të cilin ka thënë se ka qenë dora e djathtë Slobodan Milosheviqit.