Diskriminimi sistematik në hapësira publike dhe punësim i grupeve të margjinalizuara

Një hulumtim disamujor i shtrirë në pesë komuna të vendit dhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” gjeti se institucionet diskriminojnë grupet e margjinalizura të shoqërisë.

Mbi 20 institucione publike të vendit, janë monitoruar për më shumë se gjashtë muaj për të parë nëse i plotësojnë obligimet ligjore mbi të drejtat e njeriut.

Hulumtimi i KALLXO.com zbuloi se shumica prej tyre nuk ofrojnë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara.

Institucionet, gjithashtu, nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara ashtu siç parasheh ligji e po ashtu ato diskriminojnë gratë në punësim dhe në pozita udhëheqëse.

Njëra nga gjetjet e hulumtimit tregon gjithashtu se institucionet e monitoruara diskriminojnë personat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Raportin e plotë të hulumtimit mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Pesë komunat e monitoruara që nga muaji prill i këtij viti kanë qenë: Komuna e Prishtinës, duke përfshirë objektin e vjetër të komunës, dy shkolla, dy Qendra të Mjekësisë Familjare, Qendra për Punë Sociale dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë”; Komuna e Lipjanit, duke përfshirë objektin e komunës, dy shkolla, Qendrën për Punë Sociale dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në Komunën e Graçanicës është monitoruar objekti i Komunës, një shkollë dhe Qendra e Kryesore e Mjekësisë Familjare ndërsa në Gjilan është monitoruar objekti i Administratës, QKMF dhe një shkollë.

Pjesë e hulumtimit ka qenë edhe Komuna e Vitisë, ku janë monitoruar përveç objektit të Komunës edhe QKMF dhe Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës”.

Fakulteti Juridik në aspektin e ofrimit të infrastrukturës fizike, ofron pjesërisht qasje për persona me aftësi të kufizuara. Objekti i këtij Fakulteti ka dy lifte, që u mundëson qasje personave me aftësi të kufizuara, por jo edhe në të gjithë katet e objektit.

Gjithashtu, ka pjerrina në hyrje, brenda në korridore dhe në sallën e amfiteatrit.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Por, në pjesën tjetër të indikatorëve, ky Fakultet nuk përmbush disa prej obligimeve që dalin nga ligjet. Edhe pse ka më shumë se 50 të punësuar, në Fakultetin Juridik nuk është i punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, nuk ka tualete që janë të përshtatshme për këtë kategori e po ashtu mungon edhe përfshirja në punësim i komuniteteve joshumicë.

Fakulteti i Edukimit është njëri nga objektet e reja dhe të ndërtuara viteve të fundit, e që ofron më shumë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara. Nga monitorimi në terren është vërejtur se objekti ka një lift funksional, i cili shkon deri në katin e fundit, pragje të përshtatshme nëpër salla të ligjërimit e po ashtu ka tualete në secilin kat, të qasshme për persona me aftësi të kufizuara. Objekti ka gjithashtu një pjerrinë në hyrje.

Nga gjetjet vërehet se punësimi i komuniteteve në këtë Fakultet mungon dhe është njëri prej aspekteve negative që është evidentuar. Gjithashtu, mungon edhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara, pasi në këtë institucion arsimor janë 68 të punësuar.

Fakulteti i Filologjisë është një tjetër fakultet i monitoruar gjatë muajve të kaluar. Te ky fakultet vërehet një mungesë e theksuar e ofrimit të qasjes fizike për persona me aftësi të kufizuara. Përveç një pjerrinë në hyrje të objektit, Fakultetit të Filologjisë i mungojnë tualetet e përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara, nuk ka lift për katet dy dhe tre e gjithashtu punësimi i kësaj kategorie, siç e parasheh ligji, mungon.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Komuna e Prishtinës – objekti i vjetër është njëri nga institucionet që ka bërë përpjekje për t’u siguruar qasje fizike personave me aftësi të kufizuara. Objekti ka një lift i cili në ditën e monitorimit ka qenë funksional, ka vetëm një tualet për persona me aftësi të kufizuara, në katin e parë, por jo edhe në katet e tjera. Gjithashtu, ekzekutivi lokal ka përshtatur një sportel për këtë kategori. Vlen të ceket se objekti ka edhe një pjerrinë por, si në shumicën e institucioneve, mungon punësimi i personave me aftësi të kufizuara, ashtu siç kërkon ligji.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë nga monitorimi në terren shihet se plotëson pjesërisht indikatorët që ne i kemi analizuar. Nga vizita kemi parë që përveç pjerrinës në hyrje të objektit ka edhe një lift e po ashtu lift edhe objekti brenda që mundëson qasje në secilin kat të ndërtesës. Në katin e parë, objekti e ka edhe një tualet të përshtatshëm për persona me aftësi të kufizuara. Në këtë institucion shëndetësorë përmbushet kriteri ligjor për punësimin e kësaj kategorie por mungon punësimi i komuniteteve dhe gjithashtu, QKMF në Prishtinë nuk ka një asistent të veçantë për persona me aftësi të kufizuara.

Qendra e Mjekësisë Familjare në “Breg të Diellit” është gjithashtu një institucion që përmbush pjesërisht obligimet ligjore për ofrimin e qasjes për persona me aftësi të kufizuara. Qasja në objekt është e lehtë sepse është e rrafshët, ka lift funksional, ka tualete dhe ka përmbushur kriterin ligjor që thotë në çdo të 50-tin punëtorë, një të jetë me aftësi të kufizuara. Edhe në këtë institucion mungon punësimi i komuniteteve joshumicë.

Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë ka telashe në përmbushjen e obligimeve ligjore sa i përket grupeve të margjinalizuara. Për shembull, në këtë institucion arsimor gruaja nuk ka ndonjë pozitë udhëheqëse, por megjithatë ato janë në numër më shumë të punësuara sesa burrat. Një aspekt pozitiv në këtë shkollë është se ka të punësuar nga komunitetet, turk, ashkali dhe egjiptian, ndërsa mungon punësimi i personave me aftësi të kufizuara. Shkollës i mungon një lift, i cili do t’u krijonte qasje fëmijëve apo stafit me aftësi të kufizuara në katet lart të objektit.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Shkolla e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë gjithashtu në pozita udhëheqëse nuk ka gra, pra edhe drejtori edhe zëvendësdrejtori janë burra. Në këtë shkollë gjithashtu nuk ka nga komunitetet joshumicë ndonjë të punësuar e gjithashtu nuk zbatohet kriteri ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Objekti ka pjerrinë në hyrje dhe një tualet të akomoduar për nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ishte një tjetër institucion i monitoruar. Objekti i këtij institucioni ka probleme serioze sa i përket ofrimit të qasjes për persona me aftësi të kufizuara. Objektit i mungon lifti, pasi zyrat e QPS-së gjenden në katin e dytë dhe gjithashtu objekti nuk ka as pjerrinë, e as tualete të veçanta. Gjithashtu, mungon punësimi i personave më aftësi të kufizuara dhe i komuniteteve joshumicë.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Pallati i Rinisë në Prishtinë është një tjetër ndërtesë e monitoruar për të parë se a ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara. Kjo Ndërmarrje Publike Lokale ka disa telashe në ofrimin e qasjes për persona me aftësi të kufizuara për shkak se objekti nuk e ka një lift. Por, ka një pjerrinë e cila është ndërtuar vetëm së fundmi, e cila ofron qasje deri te platoja. Mungojnë gjithashtu tualetet e veçanta për kategori dhe punësimi i kësaj kategorie sipas ligjit.

Komuna e Lipjanit është njëri nga institucionet që ofron dukshëm qasje fizike për persona me aftësi të kufizuara pasi objekti i kësaj Komune është i ri, është ndërtuar para rreth një viti. Ka lift funksional dhe pjerrina, ka tualete në secilin kat e gjithashtu punësimi i personave me aftësi të kufizuara e përmbush obligimin ligjor.

Në Komunë janë të punësuar edhe komunitete tjera joshumicë. Nga institucionet e vetme të monitoruara, Komuna e Lipjanit ka edhe një printer të alfabetit të braitit.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan është një tjetër institucion i monitoruar për të parë se a respekton të drejtat e njeriut në punësim dhe ofrim të qasjes fizike.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se kjo Qendër sa i përket përfaqësimit gjinor në pozitat udhëheqëse ose manaxheriale e përmbush kriterin ligjor por numri i grave dhe burrave të punësuar nuk është 50-50, ashtu siç e parasheh legjislacioni. Gjithashtu, punësimi i personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve është sipas ligjit.

Por, tualetet sipas standardeve që duhet të jenë, mungojnë.

Qendra për Punë Sociale në Lipjan është një tjetër institucion i monitoruar gjatë muajve të kaluar në komunën e Lipjanit. Objekti ka pjerrinën në hyrje por në kohën e monitorimit i mungonte një lift që u mundëson qasje personave në katin e dytë të objektit. Tualetet gjithashtu nuk janë në standardet e parapara.

Por, institucioni pasi përfitoi një projekt nga Bashkimi Europian nisi përmirësimin e kushteve për qasje fizike në gjithë hapësirën e objektit.

Shkolla fillore “Ismajl Luma” në Lipjan nuk përmbush kriterin ligjor të përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave në pozita menaxheriale. Gjithashtu, në këtë shkollë nuk ka të punësuar nga komunitetet joshumicë e po ashtu punësimi i personave me aftësi të kufizuara nuk respektohet sipas legjislacionit. Ky institucion arsimor ka qasje për katin e parë për persona me aftësi të kufizuara pasi ka pjerrinë dhe tualet të përshtatshëm për këtë kategori.

Shkolla e Mesme “Ulpiana” në Lipjan ka probleme në ofrimin e qasjes fizike për persona me aftësi të kufizuara, mungojnë tualetet e veçanta, lifti për katet lart objektit e gjithashtu, përfaqësimi gjinor në punësim është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, në këtë institucion nuk janë të punësuar personat me aftësi të kufizuara ani se ligji thotë që në çdo të 50-tin punëtorë duhet një i punësuar nga kjo kategori.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Komuna e Graçanicës nuk ka pranuar të na mundësojë një monitorim sipas metodologjisë së paraparë. Por, nga vizita në terren është evidentuar se objekti i Komunës ka pjerrinën dhe një parking të shenjëzuar për persona me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, të dhënat tregojnë se mungon punësimi i personave me aftësi të kufizuara.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Graçanicë gjithashtu nuk ka qenë e hapur për bashkëpunim rreth monitorimit. Por nga terreni kemi parë që qasja në objekt është e lehtë sepse nuk ka shkallë, mungon lifti për katet lart e gjithashtu nuk ka fare tualete të veçanta për persona me aftësi të kufizuara.

Shkolla Fillore “Ditët e Minatorit” në Kishnicë në komunën Graçanicës është gjithashtu një tjetër institucion arsimor i monitoruar për të parë qasjen që u ofron personave me aftësi të kufizuara. Objekti në Kishnicë ka qasje në hyrje por qasja në katin e dytë është e pamundur pasi nuk ka lift. Gjithashtu, gratë nuk kanë përfaqësim në pozita udhëheqëse të shkollës. Në këtë shkollë është një tualet i përshtatshëm për persona me aftësi të kufizuara por punësimi i kësaj kategorie i përcaktuar sipas ligjit mungon.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Komuna e Gjilanit në objektin e Administratës komunale ka qasje përmes pjerrinës por ajo është pjesshme, mungojnë tualetet e përshtatshme e sipas standardeve për persona me aftësi të kufizuara.  Gjithashtu, punësimi i barabartë mes burrave dhe grave mungon. Në këtë institucion ka të punësuar nga komunitetet dhe personat me aftësi të kufizuara.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan është një objekt i ri i ndërtuar viteve të fundit. Qendra ofron qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara, ka pjerrina, ka lift funksional dhe ka tualete të veçanta për këtë kategori. Por, punësimi sipas legjislacionit mungon. Gjithashtu, në këtë institucion shëndetësor ka të punësuar nga komunitete joshumicë.

Qendra për Punë Sociale në Gjilan ka probleme për ofrimin e qasjes në infrastrukturë, përveç një pjerrinë në hyrje të objektit, qendra nuk ka lift e gjithashtu tualetet e veçanta për këtë kategori mungojnë ani pse një person me aftësi të kufizuar e ka të punësuar. Gjithashtu, një parking i shenjëzuar për persona me aftësi të kufizuara mungon.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Shkolla e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan është një objekt relativisht i vjetër dhe infrastruktura nuk është ashtu siç parashihet me rregullativa ligjore, ani se disa çështje janë adresuar përmes renovimeve. Objekti ka një pjerrinë por mungon lifti për katet e larta të objektit. Gjithashtu, ka një tualet të akomoduar për persona me aftësi të kufizuara por mungon punësimi i kësaj kategorie sipas legjislacionit. Gjithashtu, mungon punësimi i komuniteteve joshumicë.

Komuna e Vitisë është një tjetër institucion publik i monitoruar gjatë muajve të kaluar. Gjetjet nga terreni tregojnë se disa nga indikatorët matës kjo komunë nuk i plotëson: mungon punësimi i personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimi i barabartë në punësim i grave dhe burrave.

QKMF në Viti ka gjithsej 142 të punësuar, prej të cilëve 61 janë gra, duke mos përfaqësuar punësim të barabartë me burat. Në këtë institucion shëndetësor nuk ka asnjë person nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ndërsa të punësuar nuk ka asnjë person me aftësi të kufizuara, ndryshe siç thotë ligji që do të duhej të ishin të paktën dy persona të punësuar.

Shkolla e Mesme “Kuvendi i Lezhës” – Viti është institucioni tjetër i monitoruar në komunën e Vitisë. Të dhënat nga terreni tregojnë për zbatim të pjesshëm të legjislacionit mbi të drejtat e njeriut dhe qasjes fizike për persona me aftësi të kufizuara.

Tabela e respektimit të të drejtave të njeriut, punoi: Diar Vuçetaj

Asnjë person me aftësi të kufizuara nuk është i punësuar në këtë institucion arsimor edhe pse numri i të punësuarve është 66.

Mungojnë gjithashtu tualetet e qasshme për persona me aftësi të kufizuara e po ashtu punësimi i komuniteteve joshumicë, rom, ashkali dhe egjiptas.

www.kallxo.com