Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari  thotë së nuk ka parë asnjë rrëmbim të civilëve serbë nga UÇK-ja në Rahovec

Dëshmitari Predrag Dediq, ka pohuar se në Kosovë, policia dhe ushtria serbe po i detyronin shqiptarët që të largoheshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten, përmes videolidhjes ka vazhduar të japë dëshminë dëshmitari i 32-të i Prokurorisë.

Dediq po dëshmon në gjyqin ku akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata po e përcjellin procesin nga qendra e paraburgimit përmes videolidhjes.

Dediq pranoi se e kishte vërejtur këtë situatë vetëm në Rahovec dhe nuk kishte pasur njohuri për ngjarje të ngjashme në vende të tjera të Kosovës.

“Është pjesërisht e saktë. Unë jetoja me një lagje me shqiptarët dhe shkonim shumë mirë. Përballë ishin shqiptarë dhe ata thanë se duhet të largohen nga Rahoveci dhe pastaj ushtria shkoi përpara autobusit dhe u tha se mund të ktheheni në shtëpi lirisht. Familja që jetonte pranë meje u kthye në shtëpi”- deklaroi dëshmitari Dediq.

Gjatë dëshmisë së tij, Dediq rrëfeu se në qershorin e vitit 1999, ushtria serbe kishte njoftuar popullsinë serbe se do të tërhiqej nga Rahoveci si pjesë e marrëveshjes së Kumanovës.

Megjithatë, ai dhe gruaja e tij kishin vendosur të qëndronin në shtëpinë e tyre.

“Gruaja ime nuk donte të largohej dhe unë nuk desha të largohem dhe kështu qëndruam aty, por një pjesë e popullsisë u largua bashkë me ushtrinë”- tha dëshmitari.

Gjatë dhënies së dëshmisë, Dediq u deklarua në lidhje me betejën e 17 korrikut të vitit 1998, duke theksuar se nuk kishte parë rrëmbime të civilëve serbë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Dëshmitari Predrag Dediq ka deklaruar se autoritetet serbe po shpërndanin armë dhe municione për civilë, sikurse ai.

Dëshmitari Dediq tha se kur filloi beteja, civilët e tjerë që jetonin në Rahovec, kishin armë dhe municion.

“Ju pritej që të bashkëpunoni me ushtrinë dhe policinë për t’i mbrojtur serbët nga ndonjë sulm?”- pyeti avokati i Thaçit, Gregoy Keohe, ndërkaq, dëshmitari e pohoi këtë gjë.

Sipas tij, gjatë kohës së sulmit të datës 17 korrik 1998, ai ishte në shtëpi me gruan e tij dhe nuk kishte serbë të tjerë pranë.

Dëshmitari pohoi se nuk kishte parë ndonjë rrëmbim të civilëve serbë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë betejës.

“Jo, nuk kam parë diçka të tillë, ashtu është”- pohoi Dediq.

Marrja në pyetje e këtij dëshmitari në DhSK u shoqërua me disa probleme teknike në transmetim.

Këtë dëshmitar ka filluar ta marrë në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Cezary Mihailzcuk dhe gjykimi më tej ka vijuar me pyetjet e parashtruara nga ana e avokatit të Thaçit, Gregoy Keohe.

91 vjeqari gjatë sesionit të paradites ka pretenduar se djali i tij u rrëmbye në qershor të vitit 1999, nga ushtarët e UÇK-së dhe u mbajt në ndërtesën e zjarrfikësave në Rahovec. Sipas dëshmitarit pas kësaj ai nuk u kthye më.

Hagë, dëshmitari Dediq flet për ndërtesën e zjarrfikësave në Rahovec dhe rrëmbimin e djalit të tij

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.