Hagë, dëshmitari Dediq flet për ndërtesën e zjarrfikësave në Rahovec dhe rrëmbimin e djalit të tij

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten, përmes videolidhjes ka filluar të japë dëshminë dëshmitari i 32-të, Predrag Dediq, i cili ai ka rrëfyer për ndërtesën e zjarfikëses në Rahovec, ku pretendohet se ka qenë qendër grumbullimi për ndalim të serbëve.

Dediq po dëshmon në gjyqin ku akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

91 vjeqari ka pretenduar se djali i tij u rrëmbye në qershor të vitit 1999, nga ushtarët e UÇK-së dhe u mbajt në siç pretendon ai ‘qendrën e ndalimit’, ndërtesën e zjarrfikësve në Rahovec.

“Më 18 qershor 1999 rreth asaj date, djali i dëshmitarit u rrëmbye nga katër ushtarë të UÇK-së, me uniforma të UÇK-së dhe të armatosur në praninë e mamasë të tij. Bashkëshortes së dëshmitarit i thanë se djalin do ta merrnin në stacionin e policisë për një intervistë. Pasi mori informacion për rrëmbimin e djalit, dëshmitari shkoi në stacionin e policisë së UÇK-së që ndodhej pranë ndërtesës se zjarrfikësve dhe u kërkoi që ta lironin djalin dhe dëshmitarin e kyçën në një dhomë për një orë dhe më pas e liruan pas ndërhyrjes së KFOR-it”- thuhet në deklaratën e dëshmitarit.

Në dëshminë e tij, Dediq tregoi se pas rrëmbimit të djalit të tij, ai u drejtua tek ndërtesa e policisë në Rahovec për të pyetur për të. Ai tha se ka dëgjuar nga personat e tjerë që e kishin ndaluar dhe që djali i tij vetëm do të dëshmonte aty.

Sipas deklaratës së dhënë në Prokurori, dëshmitari ka jetuar në Rahovec bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij.

“Në qershor të 1999, dëshmitari jetonte në Rahovec bashkë me shoqen edhe djalin. Shkurtimisht, pas tërheqjes së policisë ushtarake serbe, mbërritën ushtarët e UÇK-së. Disa syresh shkuan në banesën e dëshmitarit dhe kërkonin armë. Dëshmitari u keqtrajtua, u kërcënua sepse u pretendua se ai nuk donte të jepte armët. Të nesërmen, komandanti i UÇK-së mbërriti në familjen e dëshmitarit dhe i kërkoi që t’i jepnin të gjitha armët dhe çelësat e apartamentit”- thuhet në deklaratën e këtij dëshmitari.

Dediq më tej tregoi edhe për një ngjarje që ndodhi me Petko Peleviqin, një person tjetër që pretendohet se ishte mbajtur në të njëjtin vend.

“Po, patjetër që e njoh. Është mbajtur tek burgu e njoh mirë, ka qenë drejtor i një kompanie e njoh mirë. Atë e shoqëronte një femër nga UÇK-ja. Petko Peleviq mbahej edhe ai atje, e kam ditur por s`më kujtohet tani me hollësi. Më duket se kam folur me shoqen e tij, ajo më tha se e kishin rrahur atje e kishte rrahur një grua të cilës ai i kishte dhënë punë në kompaninë e vet. Dhe shoqja pyeste: ‘ pse e kishte rrahur ajo gruaja kur ai i kishte bërë një nder’”- tha dëshmitari.

Ai pretendoi se Peleviq u rrah dhe vdiq në këtë ndërtesë.

“Nga të rrahurat, i kishin thyer krahët kështu më tha shoqja e tij, ishte i mbuluar me gjak kështu ma merr mendja se vdiq nga e rrahura”- tha ai.

Dëshmitari Dediq theksoi se e mësoi këtë nga shoqja e tij (bashkëshortjae Petko Peleviq) dhe shtoi se të gjithë personat që i morën dhe i sollën atje, i mbajtën shumë shkurt dhe më pas i dërguan diku tjetër.

Në pyetjen e prokurorit Cezary Mihailzcuck për përgjegjësinë e ndërtesës së zjarrfikësve në Rahovec, Dediq deklaroi se nuk ka informacione të sakta, por e dinte se ishin paraushtarakët nga Ministria e Brendshme që kontrollonin këtë ndërtesë.

Ai po ashtu rrëfeu se komandanti i Rahovecit, Ismet Tara, i ka konfirmuar këtë informacion dhe i ka thënë se ishin paraushtarakët.

“Ishin paraushtarakët, nga Ministria e Brendshme dhe kur fola me Ismet Tarën, komandant i Rahovecit, ai më tha se’ ishin paraushtarakët’”- shtoi dëshmitari.

Dëshmitari Dediq konfirmoi se e kishte njohur personalisht Ismet Tarën dhe se kishte biseduar me të pas rrëmbimit të djalit të tij.

“Ismet Tara është nga Rahoveci, e njoh personalisht, shkoja shpesh tek restorani i tij tek lokali tij – qebabtorja, ai më ka thanë se ishte komandanti i UÇK-së së Rahovecit”- tha dëshmitari.

Megjithatë, Pekoviq deklaroi se Tara nuk i ka thënë asgjë specifike për personin që ishte përgjegjës për rrëmbimin. Gjithashtu, ai nuk ka marrë përgjigje lidhur me premtimin e Tarës për të sjellë djalin e tij.

Prokurori Cezary Mihailzcuck kërkoi pranimin e provave dhe deklaratave të Dediq të dhëna më herët në Prokurori.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.