Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së fillon në seancë të mbyllur për publikun

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, seanca gjyqësore nisi e mbyllur për publikun të mërkurën. Në këtë fazë të procesit, dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, i koduar me shifrën W-04577, po jepë dëshminë e tij.

Ky dëshmitar po ofron informacione në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për pretendime të krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka argumentuar vendimin për mbylljen e seancës për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit.

Dëshmitari i mbrojtur, i cili po identifikohet me numrin 29, kishte refuzuar dy herë të dëshmojë mbi këtë çështje, duke shkaktuar ndërprerjen e seancave gjyqësore.

Avokati i tij, në seancën e kaluar më 11 tetor, ka njoftuar gjykatën se klienti i tij është në një gjendje stresi dhe nuk është i gatshëm të japë dëshmi në gjykim. Ai madje ka shprehur gatishmërinë e klientit për të pranuar burgun në vend të dëshmisë.

Situata e ngjashme ka ndodhur një ditë më parë, ku gjykimi është ndërprerë në rrethana të paqarta për publikun.

Kjo ka ndodhur në një moment të procesit gjyqësor kur dëshmitari duhet të japë deklarata në lidhje me çështjen në fjalë.

Dëshmitari i 29-të kishte kërkuar një muaj kohë për të përgatitur dëshminë e tij, ndërsa gjykata e kishte paralajmëruar për mundësinë e sanksioneve dhe ofrimit të ndihmës psikiatrike.

Ndërkaq, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 30-të, i cili është i koduar me shifrën W04769. Ky ish-pjesëtar i UÇK-së ka ofruar informacion në lidhje me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe Zonën e Pashtrikut.

Edhe kjo dëshmi është dhënë në një seancë të mbyllur për publikun.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.