Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së - Dëshmitari i stresuar, është gati të shkojë në burg
Dëshmitari i ftuar nga Prokuroria që të dëshmojë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, po refuzon që të deklarohet për këtë çështje.
Avokati i tij, të mërkurën ka deklaruar se klienti i tij është në një gjendje të rëndë stresi dhe nuk është i gatshëm të japë dëshmi në gjykim. Madje sipas tij, ai është i gatshëm që të shkojë edhe në burg.
E njëjta situatë me këtë dëshmitarë është paraqitur edhe dje kur në rrethana të paqarta për publikun u ndërpre gjykimi.
Avokati i dëshmitarit të mbrojtur në këtë proces është shprehur se pas një konsulte të mëngjesit me klientin e tij, është evidentuar se ai po përjeton një stres të jashtëzakonshëm.
Kjo ka ndodhur në një moment të procesit gjyqësor, ku dëshmitari duhet të japë deklarata për çështjen në fjalë.
Fllimisht nga Prokuroria është prezantuar një dokument-intervistë me nënshkrimin e dëshmitarit, por ky i fundit e ka mohuar kategorikisht, duke thënë se “është e pavërtetë”.
Prokurorja ka insistuar në faktin se dokumenti ka të bëjë me një intervistë që ai ka dhënë në vitin 2004, por dëshmitari ka vazhduar të mohojë se ky është nënshkrimi i tij, duke hedhur dyshime mbi autenticitetin e tij.
Prokurorja: Dokumenti që është në ekran ka të bëjë me një intervistë që e keni dhënë në vitin 2004?
Dëshmitari “…Po, është e pavërtetë”.
Prokurorja: Po thoni që nuk keni dhënë deklaratë në vitin 2004? Nëse do të shihni versionin në aglisht të këtij dokmenti, a shihni emrin tuaj të shkruar në atë faqe?
Dëshmitari: Po e paska bo dikush këtë shkrim. Nuk e di kush e ka bo, por kjo nuk është e vërtetë!
Prokurorja: A po e mohoni se është nënshkrimi juaj?
Dëshmiatri: Nuk dëgjohet…
Lidhur me këtë ka reaguar avokati i caktuar për dëshmitarin. Ai ka thënë se dëshmitari po ndihet i stresuar dhe nuk është i gatshëm për të dhënë deklaratë. Madje sipas avokatit dëshmitari është i gatshëm të shkojë edhe në burg.
“Nëse më lejoni, mund të them se sot paradite, sot në mëngjes jam konsultuar me klientin tim dhe personi që keni përpara – pra dëshmitari është shumë i stresuar dhe nuk është i gatshëm që ta japë dëshminë. Ai është gati që të shkojë në burg siç iu tha edhe juve, jam në përshtypjen që po udhëzohet ai për të dhënë dëshminë. Nuk e di në qoftëse shtyhet senaca do të ndryshojë mendjen e tij. Megjithatë mbështetuar në atë çfarë tha dëshmitari do iu kërkoja që të paktën të shtyhet për ca kohë në mënyrë që të konsultohem”- ka deklaruar avokati i dëshmitarit.
Gjykata mori vendim për një pauzë 12 minutëshe.
Reagimet rreth deklarimit të dëshmitarit i ka ngritur qysh në senacat e kaluara avokati Ben Emmerson, duke theksuar se dëshmitari tenton të “negociojë me Prokurorinë” në këmbim të dëshmisë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.