ARKIV Dibran Hoxha i arrestuar nga Policia e Kosovës | Foto: KALLXO.com/Arkiv 2018

Vendimi i fundit i Gjykatës për masën e sigurisë ndaj 'Kobrës'

Dibran Hoxhës i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë lidhur me rastin e vrasjen që kishte ndodhur në një lokal të Prizrenit në janar të këtij viti, ku i vdekur kishte mbetur një i ri nga Kukësi.

“Kobrës” i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj duke e lënë në paraburgim të njëjtin deri me 3 janar të vitit 2024.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Dibran Hoxha vazhdon të mbetet në paraburgim që nga janari i këtij viti dhe në janarin e vitit 2024 do bëhen plotë një vit që i dyshuari vazhdon të mbetet në paraburgim.

Të dyshuarit Roland Susurit masa e paraburgimit i ishte zëvendësuar muaj më parë me masën e paraqitjes në stacion policor.

Zëvendësimi i masës për Susurin ka ardhur pasi që ndaj vendimit të fundit të Themelores të datës 29.06.2023 për vazhdimin e paraburgimit, kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mbrojtësi i të dyshuarit. Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Gjykata Supreme, duke i caktuar masës e lajmërimit më stacion policor.

Të dyshuarit tjetër Enver Amerllahu më datë 19.04.2023 masa e paraburgimit i ishte zëvendësuar me masën e sigurisë  “dorëzania”. Zëvendësim të masës së paraburgimit në atë të paraqitjes në stacion policor kishte ndaj të dyshuarit Kujtim Gashi.

Tutje, të dyshuarit e tjerë, Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli, masa e fundit ndaj tyre ka qenë masa e arrestit shtëpiak, ndaj tyre prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për vazhdim të masës sigurisë ose për ndërrimin e saj. Ndërkaq për Burim Mazrekun si masë e fundit ka qenë paraqitja në stacion policor.

Në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” kishte ndodhur një gjuajtje me armë dhe kishte mbetur i vdekur një person.

Dibran Hoxha, i njohur si ‘Kobra’, është i dyshuari kryesor për veprat penale– vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Lidhur me këtë incident të dyshuar janë edhe Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri.

Gjykata e Prizrenit kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Në fillim të shkurtit, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Të dyshuarit e tjerë, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë, i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve në lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Në mars të këtij viti Gjykata e Prishtinës ua kishte vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj të tjerë të dyshuarve, pasi që rasti fillimisht ishte duke u trajtuar nga Gjykata e Prizrenit, por rasti më pas kaloi në kompetencë të Departamentit Special në Prishtinë.

Informata të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni duke klikuar këtu- LINK