FSK, Foto: KALLXO.com

Rrena për buxhetin, armatimin dhe numrin e ushtarëve në FSK

Një video e shpërndarë në rrjetin social TikTok nga faqja “Kosovenetedalimzot”, (arkiva) më 17.04.2024 përmban disa informacione e të dhëna të pasakta lidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për vitin 2024.

Në këtë video thuhet se buxheti i FSK-së është 399 milionë, se numri i ushtarëve aktivë është 12 mijë e i atyre rezervë 10 mijë.

Në lidhje me të dhënat e publikuara nga faqja në TikTok, Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo ministri ka demantuar këto të dhëna dhe ka dhënë informacionet zyrtare.

Liridona Gashi, Këshilltare Politike në këtë ministri tha se buxheti i krejt ministrisë, që ka nën menaxhim dhe FSK-në është 153 milionë euro për vitin 2024. Ndërkaq, për numrin e ushtarëve, Gashi tha se janë 4 mijë e 141 aktivë e 115 rezervë.

Në video janë prezantuar të dhëna edhe për numrin e pajisjeve e arsenalit siç janë dronët ‘Bayraktar’, raketa ‘Javelin’ e mjeteve të blinduara.

Për armatimin e pajisjet e tjera ushtarake të FSK-së, Liridona Gashi nga Ministria e Mbrojtjes tha se janë të klasifikuara dhe rrjedhimisht jo të hapura për publikun, dhe si të tilla nuk mund te jenë në duar të mediave ose individëve të paautorizuar.

“Sa i përket informacioneve të shpërndara në linkun e dërguar nga ana e juaj, demantojmë vërtetësinë e tyre, si dhe konfirmojmë se nuk është realizuar ndonjë sondazh zyrtar në lidhje me interesimin e qytetarëve për tu mobilizuar ushtarakisht në rast të ndonjë situate emergjente” – tha Gashi për Krypometrin.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar në vitin 2009 pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Më 14.12.2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri ligje, me të cilat u mundësua transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk pësoi ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara i dhanë FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.