ARKIV Dibran Hoxha i arrestuar nga Policia e Kosovës | Foto: KALLXO.com/Arkiv 2018

Gjykata merr vendim për Dibran Hoxha – ‘Kobra’, i dyshuar për vrasje

Gjykata në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Dibran Hoxhës dhe Roland Susurit në lidhje me vrasjen që kishte ndodhur në një lokal të Prizrenit në janar të këtij viti.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar, avokati i Dibran Hoxhës, Nexhat Elshani.

“Po i’u ka vazhdu masa e paraburgimit veç këtyre të dyve, Dibran Hoxhës dhe Rolandit” – tha Elshani për KALLXO.com.

Kurse për të pandehurit e tjerë, Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli, prokuroria ka kërkuar zëvendësimin e masës nga ajo e paraburgimit, në masën e arrestit shtëpiak, e me të cilin propozim është pajtuar edhe Gjykata.

Ndërsa për të pandehurin Burim Mazreku, prokuroria ka kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit në atë të paraqitjes në stacion policor.

Në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” kishte ndodhur një gjuajtje me armë dhe kishte mbetur i vdekur një person.

Dibran Hoxha, i njohur si ‘Kobra’, është i dyshuari kryesor për veprat penale– vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Lidhur me këtë incident të dyshuar janë edhe Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrallahu dhe Roland Susuri.

Gjykata e Prizrenit kishte caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Në fillim të shkurtit, si kompetente për hetimin e këtij rasti u caktua Prokuroria Speciale. Si rrjedhojë rasti tashmë ka kaluar në trajtim në Gjykatën e Prishtinës.

Të dyshuarit e tjerë, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë, i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Policia ka realizuar një mori bastisjesh në Prizren dhe gjatë bastisjeve në lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur një mori sendesh ilegale.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Në mars të këtij viti Gjykata e Prishtinës ua kishte vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj të tjerë të dyshuarve, pasi që rasti fillimisht ishte duke u trajtuar nga Gjykata e Prizrenit, por rasti më pas kaloi në kompetencë të Departamentit Special në Prishtinë.

Informata të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni duke klikuar këtu- LINK