Aktakuzë ndaj 13 personave për import dhe mbajtje të paautorizuar të armëve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më 29.04.2024 se ka ngritur aktakuzë ndaj 13 personave për vepra të ndryshme penale që ndërlidhen me import të armëve dhe mbajtje të paautorizuar të tyre.

Tre nga këta 13 persona, me inicialet H.H., B.H dhe H.Z., akuzohen nga kjo prokurori se kanë kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’’, kurse 10 tjerët kanë kryer veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armës.

“Prokuroria Speciale njofton se të akuzuarit H.H., B.H dhe H.Z., akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’’ nga neni 364 par 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Inicialet e këtyre 10 personave janë  Sh.S., S.K., B.L., R.K., K.B., G.Gj., D.R., O.B., B.K dhe H.B.

Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.