Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

U përmend etnia në raportin e Policisë, reagon aktivisti i komunitetit rom

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës, të dërguar sot, 30.04.2024), është përmendur etnia e palëve të përfshira në një rast, ndryshe nga raportet e tjera ku tregohet vetëm shtetësia dhe gjinia e palëve.

Fjala është për rastin e dyshuar  të marrëdhënies seksuale mes të dyshuarve që janë familjarë mes vete, rast që pretendohet se ka ndodhur në Klinë.

Përmendja e etnisë është parë si shqetësuese nga Isak Skenderi, drejtor i organizatës “Zëri i romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve”.

“Pse, në këtë rast, policia ndjeu se ishte e nevojshme të specifikonte etnicitetin kur e dimë se është politika e tyre të mos përmendin detaje të tilla për të shmangur stigmatizimin dhe diskriminimin?”- ka shkruar Skenderi në një reagim të tij në Facebook.

Ai thotë se përmendja specifike e etnisë këtu ngre pyetje serioze mbi motivet pas këtij vendimi dhe implikimet.

“Përmendja e etnicitetit nuk shërben interesit publik dhe nuk kontribuon në kuptimin tonë të krimit. Përkundrazi, ajo rrezikon të përforcojë stereotipet dhe të përkeqësojë antigjipsizmin, i cili tashmë është një shqetësim i rëndësishëm brenda komunitetit tonë” – ka shtuar ai.

Kjo praktikë, sipas Skenderit, është e pazakontë dhe shqetësuese, pasi devijon nga protokolli i zakonshëm ku vetëm shtetësia dhe gjinia e personave të përfshirë zakonisht përmenden.

Prandaj, ai thotë se duhet konsideruar nëse ka nevojë për një hetim nga Inspektorati Policor në lidhje me praktikat potencialisht diskriminuese brenda Policisë.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë rreth këtij rasti meqë rasti ka ndodhur në zonën që është nën përgjegjësinë e kësaj Drejtorie.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha për KALLXO.com se raportet 24-orëshe që dërgohen te mediat nuk përpilohen nga ta por nga Drejtoria Qendrore e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në zyrën për informim të Policisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës thotë se referencat rreth përkatësisë etnike të një individi, referencat racore, fetare, gjinore, të orientimit seksual apo rreth paaftësisë fizike e mendore do të zhvillohen vetëm në rastet kur informacionet e tilla kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen për të cilën raportohet.